Familja Qosja nga fshati Tregan jeton në kushte të vështira dhe pa asnjë përkrahje. Nga tre anëtarët e kësaj familjeje i aftë e i shëndetshëm është vetëm Kosta 77 vjeç.
Prej vitesh edhe pse i moshuar ai është i detyruar ti shërbejë krejtësisht i vetëm bashkëshortes së tij Efigjenisë 74 vjeç dhe vëllait të tij 79 vjeçar, Marsit i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Kosta tregon se bashkëshortja e tij vuan nga skleroza ndërsa i vëllai ka lindur me këto probleme.
I dëshpëruar thotë se i kanë ulur pagesën e kujdestarisë për gruan, ai merr vetëm 100 mijë lekë të vjetra në muaj të cilat nuk i mjaftojnë as për të plotësuar nevojat me bazike.
Kosta tregon se këtë pagesë ia kanë ulur dhe të vëllait, i cili merr sot vetëm 90 mijë lekë të vjetra.

“Vëllain e kam me probleme të shëndetit mendor, kështu ka lindur dhe jam kujdesur gjithmonë për të. Sot kujdesem dhe për gruan sepse ka disa vite që vuan nga skleroza”- tregon Kostandini.
Ai thotë se me këto të ardhura nuk i mjaftojnë për të jetuar, ndërsa ai vetë është pensionist.

“Mua më duhet të kujdesem për vëllain dhe gruan. Me lekët që marr nuk i mbyll dot shpenzimet sepse kam ujë e drita për të paguar, e lëre më vizita e ilace. Ato që mbeten s’na mjaftojnë edhe sikur të hamë vetëm bukë e kos”- shprehet Kosta.
Efigjenia bashkëshortja e tij që meti arrin të lidhë dy fjalë shpreh mirënjohjen ndaj bashkëshortit që kujdeset çdo ditë për të.
Familja Qosja vuan jo vetëm kushtet e vështira të jetesës, por edhe vetminë pasi fëmijët i kanë prej vitesh emigrantë në Greqi.
