Prej vitesh dhunonte gruan, arrestohet shqiptari në Itali

Një 32-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi akuzohet se ka dhunuar gruan e tij në mënyrë të përsëritur ndër vite. Ngjarja e fundit ndodhi të martën rreth orës 13:00, kur policia u njoftua dhe ndërhyri në banesën e çiftit.

Sipas mediave italiane, autoritetet gjetën gruan e dhunuar që qante, ndërsa shqiptari dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit. Mobiljet dhe zbukurimet e hedhura në tokë tregonin qartë për një debat të dhunshëm.

Edhe në prani të forcave të rendit, 32-vjeçari nuk shfaqi shenja pendese dhe vijoi ta ofendonte bashkëshorten. Gruaja ka deklaruar se ishte goditur me grushte dhe shqelma, ndërsa dhuna ishte e përsëritur prej vitesh dhe justifikohej nga bashkëshorti si pasojë e xhelozisë.

Ajo është dërguar në spitalin e Monzës, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore.