GRAMSH- Aksi rrugor Gramsh–Kukur vijon ende të jetë i bllokuar, si pasojë e reshjeve intensive dhe rrëshqitjeve të dherave. Situata në zonë parqitet problematike si për banorët ashtu edhe për automjetet.
Bëhet me dije se prej më shumë se 7 orësh, një kamion i cili do të furnizonte dyqanet dhe marketet e zonës me ushqime ka mbetur i bllokuar. Konkretisht ai është bllokuar në vendin e quajtur “Përroi i Pishave”, duke rrezikuar të rrëshqasë në humnerë.
Kjo ka vënë në lëvizje banorët, por jo autoritetet. Ata kanë tentuar me mjete rrethanore të nxjerrin kamionin nga zona e rrezikut. Deri në këto momente nuk ka pasur ndërhyrje nga autoritetet për zgjidhjen e problemit, ndërsa nuk raportohen persona të lënduar, por përpjekjet për shpëtimin e kamionit vijojnë.













