Policia Rrugore nis aksion kombëtar për monopatinat elektrike: Rregulla të reja në vazhdim

Tiranë, 11 Tetor 2025 – Policia Rrugore pritet të nisë së shpejti një aksion të gjerë në të gjithë vendin për të disiplinuar përdorimin e monopatinave dhe skuterëve elektrikë, mjete që gjithnjë e më shpesh po bëhen burim aksidentesh në rrugët e Shqipërisë.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se nga analizat e sigurisë rrugore, është konstatuar se shumë nga këto mjete përdoren në mënyrë të pakontrolluar, shpesh nga të mitur, dhe nuk njihen ende ligjërisht në Kodin Rrugor.

Shifrat nga Spitali i Traumës janë alarmante, me të lënduar që paraqiten çdo ditë si pasojë e aksidenteve me monopatina. Kjo ka çuar në përgatitjen e një plani masash të posaçëm, i cili pritet të hyjë në fuqi në ditët në vijim.

Duke ndjekur shembullin e vendeve si Franca dhe Britania e Madhe, ku tashmë ka rregulla strikte dhe gjoba të kripura për përdorimin e pakujdesshëm të këtyre mjeteve, Policia e Shtetit pritet të vendosë rregulla të reja për qarkullimin e tyre në rrugët shqiptare.