Policia rrugore arreston 19 shoferë gjatë muajit qershor në Elbasan. Ndëshkohen 9137 të tjerë

Policia Rrugore e Elbasanit, e pranishme 24/7, në të gjitha akset rrugore dhe në qendrat e qyteteve të qarkut, për garantimin e sigurisë rrugore.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë rritur gatishmërinë dhe vigjilencën, me qëllim shtimin e parametrave të sigurisë, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut kryesisht në akset lidhëse, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve, për sezonin turistik.

Gjithashtu, monitorojnë pandërprerë akset rrugore në qendrat e qyteteve, por jo vetëm, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti, si edhe parkimet e gabuara që bëhen pengesë për qarkullimin në qytet.

Gjatë muajit qershor 2024, janë vënë në pranga 19 drejtues mjetesh, nga këta 12 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si edhe janë proceduar në gjendje të lirë 7 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Gjithashtu, si rezultat i monitorimit të akseve rrugore të qarkut, me shërbime të shtuara dhe me pajisje të logjistikës bashkëkohore, janë ndëshkuar administrativisht në total 9137 drejtues mjetesh, të ndarë konkretisht:

• 4632 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;

* 1390 masa për parakalime të gabuara;

•611 masa për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit;

• 165 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;

• 726 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

•️40 masa për drejtim mjeti pas përdorimit të pijeve alkoolike;

•290 masa për parkime të gabura

•1283 drejtues automjetesh, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Kontrollet e shtuara nga Policia do të vijojnë, në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, si edhe duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin dhe të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.