Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan
Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që trajtonte një rast të dyshuar abuzimi me detyrën të shefit të Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ju bëjmë me dije se:
Është pezulluar menjëherë nga detyra punonjësi i Policisë, komisar O. M., me detyrë shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Elbasan, deri në përfundim të hetimit administrativ e penal.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 121, pika d, të Ligjit nr. 82, viti 2024, “Për Policinë e Shtetit”, ka nisur menjëherë hetimin administrativ.
Po në lidhje me rastin, po bashkëpunohet me AMP, meqenëse jemi në kushtet e dyshimit të kryerjes së veprës penale nga punonjësi i Policisë, O. M., ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.
Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën nga punonjësit e saj dhe i fton sërish ata të vijojnë t’i raportojnë çdo rast të tillë, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.













