Po vidhnin 5 miliardë lekë! Detaje nga skema e mashtrimit të kinezëve në Shqipëri përmes Postës Shqiptare

Dy shtetas kinezë, Cunfeng Fan (51 vjeç) dhe Haike Yan (45 vjeç), janë arrestuar pak ditë më parë në Tiranë, pasi dyshohen për mashtrim kompjuterik dhe vjedhjen e të dhënave personale të mbi 5 mijë shtetasve shqiptarë. Hetimet e zhvilluara nga Krimi Kibernetik kanë zbuluar një skemë të gjerë mashtrimi, ku kinezët tentonin të vidhnin një shumë prej rreth 5 miliardë lekësh (rreth 50 milionë euro), të cilat do të tërhiqeshin nga llogaritë bankare të shqiptarëve.

Mësohet se dy të arrestuarit kishin ardhur në Shqipëri një javë më parë, duke u akomoduar në një hotel pranë qendrës së Tiranës. Gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën e tyre, u gjetën dhjetëra materiale të rëndësishme për hetimin, përfshirë pajisje kompjuterike dhe dokumente që mbështesin dyshimet për aktivitetin e paligjshëm.

Dy shtetasit kinezë kishin ngritur një infrastrukturë për falsifikimin e faqeve të Postës Shqiptare, duke i përdorur ato për të vjedhur të dhënat bankare të shqiptarëve. Kjo infrastrukturë e mundësonte tërheqjen e fondeve nga llogaritë bankare të individëve, të cilat më pas do të dërgoheshin jashtë vendit.

Krimi Kibernetik, nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm të “darkweb” dhe burimeve të hapura në internet, ka mundur të identifikojë dhe lokalizojë dy kinezët, të cilët tashmë ndodhen në pranga. Hetimet janë në vazhdim, dhe dyshohet se skema mund të ketë përfshirë edhe persona të tjerë, ndaj janë nisur hetime të mëtejshme për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.