Greqi, 19 janar 2026 – Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë në burgun famëkeq të Koridhalosit, ku një shtetas shqiptar ka humbur jetën pas një sulmi me armë të ftohtë nga një tjetër i dënuar.
Viktima është identifikuar si Jani Aliaj, 49 vjeç, me origjinë nga Tepelena, i cili u sulmua me thikë nga një i burgosur grek gjatë një sherri të ndodhur brenda ambienteve të institucionit penitenciar. Si pasojë e plagëve të marra, Aliaj ndërroi jetë.
Sipas autoriteteve greke, autori i krimit është një 28-vjeçar grek, i njohur për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale dhe i konsideruar si vrasës me pagesë. Ai rezulton të jetë i njëjti person që më 18 gusht 2025 ekzekutoi Artur Bashimin, 47 vjeç, me origjinë nga Gjirokastra.
Policia greke dyshon se edhe vrasja e Jani Aliajt është e porositur nga jashtë burgut dhe e kryer kundrejt pagesës, duke përjashtuar pistën e një konflikti spontan mes të dënuarve.
Jani Aliaj ishte një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri. Ai ishte i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços, ngjarje e ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, e kryer për motive hakmarrjeje.
Aliaj njihej gjithashtu me pseudonimin “Xheku”. Ai ishte arrestuar rastësisht mëngjesin e 31 dhjetorit 2024 në Athinë nga skuadra DIAS, pasi gjatë një kontrolli rutinë u konstatua se mbante një kartë identiteti greke false. Pas shoqërimit në komisariatin e Moskatos, nga verifikimet rezultoi se ai ishte arratisur nga burgu i Korfuzit, ku vuante dënim të përjetshëm për vrasjen e një shtetasi shqiptar, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, për ngjarje të ndodhura në vitin 2006 në Athinë.
Po ashtu, Jani Aliaj rezultonte i kërkuar në nivel ndërkombëtar për dy raste vrasjesh të ndodhura në Shqipëri në tetor 2015 dhe maj 2016.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, identifikimin e porositësve të mundshëm dhe lidhjet kriminale që çuan në ekzekutimin brenda burgut të Koridhalosit.













