Plani i Veprimit për Schengen 2026-30 në Fletoren Zyrtare, lehtësim i lëvizjes së lirë dhe adresim i migracionit të parregullt

Qeveria shqiptare ka publikuar në Fletoren Zyrtare Planin e Veprimit për Schengen 2026-2030, një dokument që synon harmonizimin e ligjeve dhe praktikave administrative me standardet e Bashkimit Europian dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë brenda zonës Schengen.

Ky plan përfshin masa konkrete për përmirësimin e menaxhimit të kufijve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe rritjen e kapaciteteve të strukturave të menaxhimit kufitar.

Një rol qendror në zbatimin e këtij plani do të ketë Koordinatori Kombëtar i Schengen-it, në nivelin e zëvendësministrit të Brendshëm, i cili do të mbikëqyrë dhe drejtojë të gjitha aktivitetet. Ai do të bashkëpunojë me një mekanizëm kombëtar që përfshin Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Shtetit, Doganat, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Drejtësisë, Mbrojtjen/Rojën Bregdetare dhe agjenci të tjera shtetërore.

Plani adreson edhe sfidat e migracionit të parregullt, duke përfshirë përmirësimin e kapaciteteve pritëse dhe zbatimin efektiv të ligjit për azilin në përputhje me standardet e BE-së. Bashkëpunimi me Agjencinë e Bashkimit Europian për Azilin (EUAA) dhe Frontex-in do të forcojë sistemin kombëtar të pritjes, procedurat e kthimit dhe ripranimit të shtetasve të huaj.

Financimi i masave do të sigurohet kryesisht nga buxheti i shtetit, ndërsa mbështetja e donatorëve dhe e Bashkimit Europian do të përdoret për projekte strategjike, veçanërisht në infrastrukturë dhe sisteme IT.

Shqipëria do të përfaqësohet gjithashtu në grupet e vlerësimit Schengen dhe do të marrë pjesë në trajnime të udhëhequra nga Komisioni Europian, për të siguruar një zbatim efektiv dhe harmonizim të plotë me acquis-in e Schengen-it.

Duke eliminuar kontrollet e kufijve të brendshëm, Shengen ul kostot administrative dhe përmirëson zinxhirët e furnizimit. Në të njëjtën kohë, ai lehtëson lëvizjen e lirë të punëtorëve, mallrave dhe shërbimeve, duke u mundësuar kompanive të operojnë në mënyrë efikase, duke përfituar nga tregjet më të mëdha dhe proceset më të lehta.

Ky plan vendos Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në zonën Schengen, duke siguruar përmirësimin e sigurisë kufitare, respektimin e të drejtave themelore dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët.

Aktualisht, 29 vende janë pjesë e zonës Shengen, 25 prej të cilave vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe 4 joanëtare.