Personat me aftësi të kufizuara, protest në Elbasan: “Na janë cënuar të drejtat, ku ka invalid në botë që trajtohen kështu..”

Në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara u mblodhën për të protestuar para teatrit Skampa një përfaqësi e vogël e gjithë individëve që ndajnë të njëjtat problematika dhe vështirësi.
Ata shprehen se janë mbledhur për të protestuar padrejtësitë me të cilat përballen çdo ditë, ndërsa shpresojnë që përmes kësaj ‘revolte’ do të munden të sensibilzojnë sado pak shoqërinë.
Trifon Kushta ngre zërin për të kërkuar të drejtën që i takon. Në emër të të gjithë qytetarëve të kësaj katëgorie ai kërkon të mos u cënohen të drejtat që u njihen me ligj dhe mbi të gjitha të trajtohen me dinjitet dhe barazi.
“Sot ne jemi mbledhur në këtë datë, që është Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, jo për të festuar, por për të protestuar si dhe të shprehim zemërimin tonë për cënimin e të drejtave tona.
Ne nuk kërkojmë komoditet apo jetë luksi, por një jetë dinjitoze dhe me të drejta të barabarta. Ne s’mund të kërkojmë lëmoshë për atë që na takon me ligj. Ku ka invalidë në botë që trajtohen kështu?! Ne marrim një pagesë prej 126 mijë lekësh të vjetra në muaj, më thoni ju çfarë mund të blejmë sot me këto lekë, ushqim, ilaçe apo tpaguajmë ujë e drita”- u shpreh qytetari.
Ndër të tjera ai thekson se Paketa Higjeno-sanitare nuk është aspak e mjaftueshme, pasi çdo vit çmimet rriten, pork jo pagesë është e pandryshuar prej 14 vitesh.
Këto kushte jetese Kushta i cilëson si shkelje të të drejtave të njeriut, ndërsa shprehet se me këto standarde jetese jemi shumë larg modelit të Bashkimit Europian.
“I lutemi qeverisë dhe kryeministrit të shohë me përparësi kategorinë tonë, pasi çdo ditë vuajmë problemet e theksuara ekonomike”- u shpreh ai.