Tensione në kampin e muxhahedinëve në Manëz të Durrësit.
Prej mëngjesit të sotëm, Policia e Shtetit ka zbarkuar në kamp me urdhër të GJKKO-së, për të ushtruar kontrolle në të gjitha ambientet dhe zyrat ku janë strehuar aktivistë të opozitës iraniane.
Burimet thanë se po ushtrohen kontrolle të imtësishme në pajisje elektronike si kompjutera, telefonë, dronë, etj, por kanë hasur në probleme me sekuestrimin e tyre, pasi qytetarët iranianë nuk kanë pranuar që të dorëzojnë mjetet e tyre.
Po ashtu, zëdhënësi i MEK, pretendon se gjatë përplasjeve me Policinë, dy qytetarë kanë mbetur të vdekur dhe disa të tjerë u plagosën.
Megjithatë për këtë informacion të ndarë nga MEK, nuk ka asnjë konfirmim nga Policia e Shtetit.
Ministria e Brendshme gjatë në një njoftim për mediat ka mohuar pretendimet e banorëve, duke theksuar se deri më tani nuk ka asnjë humbje jete.
Urdhri i kontrolleve bëhet në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimin e sulmeve kibernetike, e raportohet se deri më tani janë lëshuar 70 urdhër-arreste për iranianët që janë strehuar në kampin e MEK në Manzë të Durrësit.
Kampi ‘ASHRAF 3’ prej vitit 2013 strehon rreth 3000 opozitarë iranianë, por në shtator të vitit 2022, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pas një sulmi kibernetik. Shërbimet online u sulmuan nga grupi i ashtuquajtur ‘Homeland Justice’.
