ELBASAN – Gjykata e Elbasanit ka rrëzuar kërkesën e producentit Petri Bozo për zbutjen e masës së sigurimit nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur”.
Përmes kërkesës drejtuar organit të drejtësisë, Bozo kishte paraqitur disa ftesa zyrtare duke kërkuar leje për t’u udhëtuar drejt Tajlandës nga data 24 tetor deri më 6 nëntor me qëllim pjesëmarrjen në edicionin e spektaklit “Miss Globe”. Megjithatë, gjyqtarja Suela Lika vlerësoi se nuk ekzistojnë rrethanat ligjore për ndryshimin e masës administrative, duke vendosur lënien e tij në arrest shtëpiak.
Masa e sigurimit ndaj producentit u caktua pas aksidentit tragjik të ndodhur në aksin nacional Elbasan-Librazhd, pranë fshatit Mengël, ku makina e drejtuar prej tij përplasi për vdekje 7-vjeçarin Algit Samurri teksa po shkonte në shkollë me të ëmën.




