Durrës, 5 shkurt 2026 – Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me përmbytjet që preku disa fshatra të Sukthit, pas dyshimeve se ndërhyrja në argjinaturën e lumit Erzen është kryer pa leje ndërtimi dhe pa studim teknik. Si pasojë, banorët u evakuuan, ndërsa autoritetet kanë vënë në lëvizje organet e drejtësisë.
Prokurorja Suela Beluli, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka regjistruar procedimin penal për veprat “Shkatërrimi i pronës me përmbytje”, “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimi është inicuar nga situata e krijuar pas përmbytjeve, urdhrit për evakuim të banorëve dhe denoncimeve publike në rrjetet sociale dhe media, që lidhen me punimet e rehabilitimit të argjinaturës së lumit Erzen.
Në bazë të vendimit të datës 4 shkurt 2026, prokurorja Beluli ka urdhëruar sekuestrimin e të gjithë dokumentacionit në Bashkinë Durrës, që lidhet me procedurat e prokurimit, zbatimin dhe dorëzimin e punimeve për rehabilitimin e argjinaturës, ngritjen e bankinës dhe sistemimin e lumit Erzen. Po ashtu, është kërkuar edhe dokumentacioni tekniko-ligjor i lejes së ndërtimit për këtë objekt.
Përveç hetimeve nga prokuroria e Durrësit, zyrtarë të Bashkisë, përfshirë edhe kryebashkiaken Emirjana Sako, janë kallëzuar edhe në SPAK nga anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilirjana Kuçana.















