Përjashtohet nga Policia e Shtetit inspektorja 29-vjeçare

Policia e Shtetit ka përjashtuar ditën e sotme inspektoren Sulltane Kuka, e cila u arrestia nga AMP në aeroportin e rinasit.

Me anë të një njoftimi për media, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë deklaron se 29-vjeçarja është përjashtuar menjëherë nga rradhët e policisë.

Kuka akuzohet se ka hequr nga sinjali “Alert” një automjet të ndaluar në aeroport, duke ndryshuar të dhënat kompjuterike.

Njoftimi i policisë:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar propozimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për përjashtimin e menjëherëshëm nga Policia e Shtetit, të punonjëses së Policisë së Shtetit, inspektore S. K., 29 vjeçe, me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Sigurisë, në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas.

Përjashtimi i kësaj punonjëseje u bë për shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, neni 208, pika 3 “Përdor pozitën si punonjës policie për përfitime personale”, pasi datë 25.09.2023, gjatë inspektimit të bërë nga grupi i inspektimit i Drejtorisë së Policisë Rrugore në OASH-në, në Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Lezhë, u konstatua se një automjet i shpallur “Alert”, ishte hequr nga sistemi në mënyrë të kundërligjshme. Po nga verifikimet e kryera nga gupi i inspektimit i Drejtorisë së Policisë Rrugore dyshohet se automjeti është hequr nga “Alert, nga punonjësja e Policisë S. K.