Përfshihet nga flakët një apartament në Elbasan

Një apartament në një pallat të vjetër në lagjen “5 Maji”, në Elbasan, është përfshirë nga flakët mesditën e sotme, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur dy automjete të shërbimit zjarrfikës, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi për neutralizimin e zjarrit. Falë reagimit të menjëhershëm të forcave zjarrfikëse, situata është vënë nën kontroll brenda pak minutash, duke shmangur përhapjen e flakëve në apartamentet ngjitur.

Nga verifikimet paraprake mësohet se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një problem në sistemin e aspirimit brenda banesës.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa familjarët kanë qenë jashtë rrezikut në momentin e incidentit.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar në përdorimin e pajisjeve shtëpiake, për të parandaluar raste të ngjashme.