Përfitoi para me pretendimin se do të ndihmonte një të mitur të sëmurë, arrestohet 55-vjeçari në Tiranë, procedohen edhe dy të tjerë

TIRANË- Një 55-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme në Tiranë. Mësohet se arrestimi i tij ka ardhur pasi përmes mashtrimit kompjuterik ka përfituar shuma parash me pretendimin për të ndihmuar një të mitur të sëmurë, për kurimin e tij.

Policia bën me dije se i arrestuari përmes një profil fals në “Instagram” ka përdorur fotografi të marra në internet, të një të mitur të sëmurë dhe më pas ka përfituar shuma parash nga persona të ndryshëm. Personat jepnin shuma parash pasi 55-vjeçari i mashtronte me pretendimin se do të përdoreshin për kurimin e të miturit. Gjithashtu në lidhje janë proceduar edhe dy persona të tjerë.

Njoftimi i plotë:

Tiranë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Fraud”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale. Ndalohet një 55-vjeçar i cili me anë të mashtrimit kompjuterik, ka përfituar shuma parash me pretendimin për të ndihmuar një të mitur të sëmurë, për kurimin e tij. Procedohen penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, kanë ndaluar shtetasin në kërkim A. K., 55 vjeç, banues në Përmet. Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. K., 42 vjeç dhe B. I., 47 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Shtetasi A. K., me anë të mashtrimit kompjuterik të kryer nga një profil fals në rrjetin social Instagram, duke përdorur fotografi të marra në internet, të një shtetasi të mitur të sëmurë, ka përfituar shuma parash nga shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do të përdoreshin për kurimin e të miturit.

Nga veprimet paraprake janë dokumentuar me prova ligjore 117 transaksione bankare që janë kryer nga shtetas shqiptarë, të cilët janë mashtruar nga profili fals në Instagram. Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.