Për herë të parë të ndarë/ Ja si do ta festojnë dy rivalet e rinj të PD, Berisha dhe Basha 8 Dhjetorin

artia Demokratike do të përkujtojë e ndarë ditën kombëtare të Rinisë, me aktivitete që janë paralajmëruar nga kryetari aktual Lulzim Basha, dhe ish-kryetari Sali Berisha.

Basha ka vendosur që takimin në këtë ditë të veçantë, ku përkujtohet lëvizja që solli rrëzimin e sistemit komunist, ta zhvillojë në ambientete e Art Turbinës, ndërkohë që Sali Berisha do të mbledhë mbështetësit në Qytetin Studenti, ku ishte dhe pikënisja e lëvizjes studentore. Berisha pritet që të zhvillojë dhe homazhe te shtatorja e Azem Hajdarit, simbolit të lëvizjes së Dhjetorit.

Ky takim i Berishës vjen vetëm 3 ditë përpara mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit, ku sipas tij shënohet edhe rithemelimi i Partisë Demokratike, për ta bërë atë një forcë fituese.

Nga ana tjetër Lulzim Basha shprehet i bindur se Kuvendi i vetëm që vlen është ai i 18 Dhjetorit, i thirrur prej tij, dhe i miratuar nga Kryesia e PD-së.

Takimi i Bashës do të mbahet sot në orën 11:00, ndërkohë që një orë më vonë do të jetë takimi i Berishës, ku pritet që të jepen dhe detaje në lidhje me Kuvendin e të shtunës.

Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.