Për herë të parë në histori një arbitre shqiptare do të gjykojë një ndeshje të Champions League për vajza. UEFA ka përzgjedhur Emanuela Rustën si arbitren që do vendosë drejtësi në ndeshjen mes Benfikës dhe Barcelonës, e programuar më 31 janar ora 21.
Jo vetëm kaq, por si ndihmëse Rusta do ketë arbitren tjetër shqiptare Edjena Kapxhiu. Më herët si Rusta ashtu edhe Kapxhiu kishin arbitruar deri në ndeshjet kualifikuese, por pa arritur në këto nivele. Prej 30 qershorit 2023 Rusta është ngjitur në Kategorinë e Parë të arbitrave të UEFA-s, ndërsa shpesh ajo gjykon edhe ndeshja të meshkujve në Superligën shqiptare.

Interviste me Emanuela Rusta
Emanuela Rusta, çfarë ju nxiti për të nisur diçka të panjohur si arbitrimi?
Ka qenë viti 2014, dhjetor. Ishte një rastësi. Ishte ora e edukimit fizik, viti i fundit. Në Universitetin e Sporteve këtu në Elbasan po zhvillonim orën e futbollit te fusha sportive kompleksi “Shefqet Lamçja” dhe aty po stërvitej arbitri Enea Jorgji. Ai foli me një shokun tim që e kam pasur në klasë dhe që ai e njihte, duke i treguar që federata e futbollit në mbështetje të FIFA-s, UEFA-s, kërkonte afrimin e vajzave dhe nëse ka ndonjë prej tyre që vërtet është e interesuar, pra që të angazhohet dhe të mund të vijë të marrë pjesë në kolegjiumin e Elbasanit me dëshirën për t’u bërë arbitre futbolli. Ai më tha mua, bashkë me dy shoqet e mia.
U shprehët dëshirën për t’u bërë arbitre futbolli, cili ishte reagimi i tyre?
Falë Zotit kam një familje shumë mbështetëse dhe besimplotë mbi vendimet që ne marrim në jetë. Bisedoj, u them që më kanë folur për arbitrimin, më pëlqen ta provoj si sfidë, dua të bëhem arbitre futbolli. Nuk harroj reagimin e prindërve, duke buzëqeshur: “Po tani nga na doli kjo ide? Por, fakti që isha aktive me çdo sport, “ok – më thonë provoje, – nëse të pëlqen ne do të mbështesim”. Isha vetëm 20 vjeçe. Motrave nuk u pëlqente shumë sporti, por e kundërta unë, sepse e adhuroja. Duke ditur këtë pasion timin për sportin, edhe pse nuk kishin asnjë ide çfarë ishte arbitrimi, u treguan entuziaste.
Keni një tjetër pengesë, jeni ende basketbolliste, si e mendonit ndarjen me koshin?
Vazhdoja njëkohësisht edhe basketbollin, luaja në sulm e mbrojtje, shumë e prirur për organizimin e sulmit të shpejtë. Kisha të dhëna fizike të mira, rezistencë, shpejtësi. Ishte i vetmi ekip në Elbasan me vajza, me trajnere të mirënjohurën Elvira Xhyra, që për mua ka qenë udhërrëfyese në mënyrën ekselente mbi disiplinën dhe punën në sport. Më pas i tregoj trajneres sime mbi këtë ide edhe që do të vazhdoja t’i bëja të dyja. Ajo u habit, priste që të isha bërë ose të doja të bëhesha një arbitre basketbolli. “Ku shkove te futbolli dhe jo basketbolli, se vitet, eksperiencën i ke, dhe si lojtare kalon menjëherë si arbitre e vajzave në basketboll”, më thotë.
Përfundimisht jeni pjesë e kolegjiumit të arbitrave të futbollit të Elbasanit…
Për herë të parë që u stërvita me arbitrat, ishte pas mbledhjes së kolegjiumit, pas së cilës vendosa që do të dilja me ta, që kishin një orar të caktuar në mesditë. Ishte koha që unë bëja disa angazhime njëkohësisht. Dita ime ishte gjithçka rreth sportit, në mëngjes në universitet se ende nuk e kisha përfunduar, punoja në një shkollë private si mësuese e edukimit fizik, gjithashtu edhe instruktore në një palestër. Gjeja kohën të shkëputesha për t’u stërvitur me djemtë e kolegjiumit, pa harruar basketbollin, ndonëse fillova t’i reduktoj, duke shkuar më shumë te pjesa e arbitrimit.
Kërkohet përgatitje fizike?
Kontakti me sportin më ndihmoi, sidomos përgatitja fizike, të isha thuajse gati. Kisha rreth shtatë vite që ushtrohesha në basketboll, që ishte ndihmë e madhe për mua. Nga basketbolli kisha përgatitjen fizike, njihja mjedisin sportiv, por në fushën e futbollit isha krejtësisht e paorientuar. Nuk e kisha problem ngarkesën fizike, për të cilën arbitrat stërviteshin, por sidoqoftë punën e nisa me ta, duke koordinuar, alternuar programet me Enean, Astrit Mahmutin, Emigres Gancin, Rudin Precën, Eduard Sinanajn, Uran Korrën.
Sa kujdes tregonte familja për vajzën si arbitre futbolli?
Kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë kujdes maksimal për mua. Jo vetëm në ato takimet e para, por edhe në të tjerat më vonë. Familja më ka ndjekur sistematikisht, pasi edhe për ata ishte e çuditshme: “Vazhdimisht më pyesnin, je e sigurt që do ta bësh këtë punë?” Në fillimet e mia, mami që është shoqja ime më e mirë dhe shumë e shtrenjtë për mua, vinte fshehurazi për të më ndjekur në normat fizike bashkë me motrën, sepse unë gjithmonë u thosha “jo, mos ejani, kam emocione kur ju shoh”. Ndërsa çdo darkë me babin na u kthye në rutinë të shihnim ndeshjet bashkë dhe diskutonim mbi vendimet e arbitrave.
Keni pasur një çast kur jeni lëkundur?
Po, kam pasur një situatë delikate që vendosi pikëpyetje mbi vazhdimësinë, për gjithçka që kishte lidhje asokohe në jetën time. Fatkeqësia e rëndë që na goditi në familje në qershor të vitit 2017, me humbjen e madhe të njeriut më të shtrenjtë, që papritur në moshë shumë të re, babai im u nda nga jeta. Ai ka qenë momenti, në të cilin vërtet jam lëkundur dhe ishte një vit e gjysmë para se të merrja stemën e FIFA-s. Ndeshja që kam përmendur më lart, e zhvilluar në Elbasan, do të ishte e fundit ku familja ime ishte e plotë për të më parë.
Kërkohet të merrni një vendim që sigurisht nuk është i lehtë, apo jo?
Kjo periudhë është pjesa më e trishtuar e jetës sime, por që më ka dhënë forcën të përballoj çdo sfidë të vështirë. Nuk isha e sigurt, nuk po gjeja forca në veten time, që vërtet mundet ta bëj këtë apo jo? Familja ime vetëm me femra dhe normalisht jo e lehtë të gjesh dalje në këto rrethana, se duhet të isha shtyllë e fortë, për nënën, motrat, kështu më duhet të gjeja forca aty ku nuk ka.
Dhe as vetë nuk e di, as sot nuk mundem ta shpjegoj që nga ajo situatë e rëndë, dëshpërimi ekstrem, në një çast kam thënë: “Duhet të bëjmë diçka, nuk duhet të shkatërrojmë gjithçka, duhet të dalim nga kjo situatë, të shpëtojmë familjen”. I vetmi vendim ishte të vazhdonim jetën me një qëllim: të bënim krenar babanë më shumë seç e kishim bërë dhe të mbanim familjen e bashkuar, siç ai donte dhe përpiqej gjithmonë me mirësinë dhe dashurinë e pakushtëzuar. Jam e bindur që na ndjek në çdo hap tonin dhe na bekon për çdo gjë në jetë.
Kur ndodhi debutimi ndërkombëtar me stemën e FIFA-s për Emanuela Rustën?
Ndeshja e parë ndërkombëtare ka qenë në Firence, Itali, një turne në mars të 2019- ës, unë dhe Erinda Kume, pasi ne shkojmë bashkë me një asistente nga vendi ynë në të tilla aktivitete. Arbitrova Danimarkë- Slloveni dhe Slloveni-Islandë. Ndeshje me emocion të veçantë, si të parat në një turne ndërkombëtar, jashtë vendit tim, dhe paraqitja duhet të ishte dinjitoze për ne.
Sa e lehtë apo e vështirë, apo jo, është të qenit arbitre?
E para si një risi dhe askush nuk ishte mësuar, aq më shumë në Shqipëri, një vend i vogël, të shihje një arbitre femër, ku ende kemi pak paragjykime në lidhje me figurën e saj, kur ne i veçojmë, si sporte që janë vetëm për femra dhe ato për meshkuj. Pra, ka qenë e vështirë pa diskutim, se je në një fushë, ku përveç anës profesionale, ke edhe pjesën e tifozëve, se si do të shikohesh, komentohesh, pranohesh. Por gjëja që më ka mbajtur më shumë, është se na kanë mbështetur. Jo vetëm federata, drejtuesit e saj, sektori i arbitrimit, por edhe mjedisi. Kur shikonin femra në fushë na kanë duartrokitur, janë treguar dashamirës. Por, kemi pasur edhe nga ata që kalonin në ekstrem, si p.sh. “femrat nuk dinë rreth futbollit, këto nuk mundet ta ushtrojnë këtë profesion”, duke shfaqur mungesë të theksuar besimi te ne.
Keni ndonjë arbitre model, cila ju pëlqen më shumë ta imitoni?
Modele arbitre kam francezen Stefani Frapart, por jo ta imitoj, thjesht është frymëzim për arbitret femra për arritjet e saj maksimale në botën e futbollit. Jo vetëm te femrat, por edhe te meshkujt. Deri tani nuk kam mundur ta takoj, nuk kam pasur rast në turne apo seminare që kam qenë jashtë shtetit, organizuar nga FIFA, UEFA, ku të ishte edhe ajo. Shpresoj ta kem një mundësi të tillë në të ardhmen. Nga arbitrat shqiptarë më pëlqejnë disa, kemi një grup të mirë, me eksperiencë, perspektivë për të ardhmen. Po kështu edhe për vajzat arbitre, dita-ditës po krijohet tradita edhe në këtë sektor.
Sa e njohur jeni, si i keni raportet ditore me qytetarët elbasanas?
Në qytet më njohin dhe më vjen mirë. Më bën krenare që kam hyrë në historinë e futbollit si arbitre femër dhe për tabunë që kam thyer si e para dhe që dua të vazhdoj këtë traditë. Është e vërtetë që shumë njerëz më ndalojnë, më flasin, më respektojnë, kudo, në rrugë, në shkollë: “Arbitre – më thonë – të kemi parë në ndeshje, në televizor…” Më pyesin rreth tyre. Shoh vlerësim dhe nga tifozë, por edhe nga jo të interesuar futbolli. Ka kuriozitet të komunikojnë.
Cilat janë angazhimet nga Emanuela mësuese te Rusta arbitre?
Një bashkëjetesë në një sektor të mbizotëruar nga meshkujt. Kjo më nxit që duhet të jem e kujdesshme në çdo hap timin. E gjithë kjo shpesh më kthehet në kompleks, si do të vazhdojë jeta ime. E mendoj sigurisht. Më përpara isha shumë e lirshme, shkoja ku të doja, e qetë, tani, nuk e di, kam filluar të përqendrohem rreth shembullit që unë dua të jap, rreth figurës sime që kam krijuar dhe nuk dua që ajo të cenohet për asgjë dhe nga askush. Jam e përmbajtur në shumë veprime të miat. Aktualisht punoj si mësuese e edukimit fizik në gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan.
Cili ka qenë vendimi juaj më i vështirë?
E preka pak më sipër, në takimin Vllaznia-Erzeni, kur në minutën e 100-të, në një rast të dyshimtë për prekje të topit me dorë në zonën e Vllaznisë, por absolutisht e pamundur për mua ta konstatoja, pati reagim nga shijakasit. Pasi u konsultova me sistemin VAR, vajta në monitor, e pashë dhe sinjalizova për 11-metërsh. Një moment vërtet i vështirë, një stadium në ankth, në pritje, aq më shumë në ato minuta të fundit të lojës dhe që solli edhe barazimin 2-2. Pati reagime të ndryshme, pasi për ekipin vendës nuk ishte vendim shumë i duhur, por ata ishin të përfshirë emocionalisht, po kështu edhe tifozëria. Normale gjykoj, kur rezultati përcaktohet me një vendimmarrje të tillë, por që janë pjesë të lojës, pavarësisht se janë minutat e para apo të fundit të saj.
Elbasani, me traditë në arbitrim, tashmë me vajza të njohura edhe jashtë Shqipërisë?
Po, një traditë e madhe, e krijuar dhe e trashëguar ndër vite. Duke u interesuar për historinë e këtij kolegjiumi, jam informuar për disa arbitra të shquar në elitën e arbitrimit shqiptar, nga Sefedin Allkja, Kristaq Peqini, Ëngjëll Suvaria, Myrteza Allkja, Vigan Guranjaku, etj. Jo vetëm këta, por edhe mjaft të tjerë. Ajo që sot është pak e veçantë, që lidhet me faktin se në Elbasan jemi tre arbitra që mbajmë stemën e FIFA-s: Enea Jorgji, unë dhe Mirjeta Salla. Një rast i rrallë për qytetin, historinë e kolegjiumit.













