ITALI- Mediat italaine i kanë bërë jehonë arrestimit të profesorit italian Michele D’Angelo, i cili po mbahet në burgun e Fierit për shkak të një aksidenti të ndodhur në datën 8 gusht në rrugën Levan- Fier. 44 vjeç, profesor biologjie në Universitetin e Aquila-s, njëherësh dhe një shkencëtar i famshëm global po mbahet prej dy muajsh në burg dhe kjo çështje sipas mediave vendase mundë të kthehet në një çështje ndërkombëtare.
Kjo ngjarje ka sjellë reagime të forta nga deputetët italianë. Deputeti Luciano D’Alfonso është ankuar te presidenti Bajram Begaj dhe i ka kërkuar që të ndërhyjë për kthimin e profesorit në Itali, një gjë që e kërkojnë dhe kolegët e tij universitarë.
Gjithashtu edhe Ambasada italiane në Tiranë dhe Konsullata e Përgjithshme në Vlorë po ndjekin me vëmendjen më të madhe rastin e Michele D’Angelo. Ansa shkruan se kjo u raportua nga Ministria e Punëve të Jashtme, e cila po mban kontakt të vazhdueshëm me bashkëkombësit e tij italianë, duke kryer vizita në burg dhe duke ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme. Po ashtu lidhur me çështjen, Universiteti i L’Aquila-s ka shprehur angazhimin e tij.
“Po bëjmë gjithçka që mundemi për të kërkuar lirimin e profesorit dhe për të ulur presionin psikologjik mbi të përfshirët,” tha rektori i zgjedhur Fabio Graziosi.
Michele D’Angelo dhe partnerja e tij u përfshinë në një aksident me makinë në Shqipëri më 8 gusht 2025. Të nesërmen, italianët u ndaluan nga policia dhe profesori u la në paraburgim, pasi akuzohet për mosdhënie ndihme.
Sipas dëshmitarëve afër profesorit, ai po ecte me 40 km në orë dhe u gjend përballë një makine tjetër që ecte me shpejtësi dhe nuk mund ta shmangte. Autoritetet shqiptare e kanë akuzuar profesorin italian për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe “braktisje të mjetit”.
