Aktorja Anila Bisha ka folur për herë të parë rreth padisë së ngritur ndaj qeverisë për përdorimin e imazhit si ministrja virtuale “Diella”.
Bisha ka kërkuar nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të Tiranës të vendoset një masë e përkohshme që pezullon përdorimin e të dhënave të saj personale për të krijuar imazhi e Diellës, e cila u emërua vjeshtën e kaluar si ministre e Prokurimeve Publike.
Aktorja gjatë një interviste për DW deklaron se ndihet e cenuar në imazh. Sipas saj përdorimi i imazhit është gjë shumë e rrezikshme sidomos për një person publik. Bisha arsyeton se ka ndërtuar një emër të bukur për publikun shqiptar dhe sipas saj kjo gjë do të sjellë urrejtje nga ana e opinionit publik.
Kjo është një kauzë shumë e rëndësishme, mund t’i ndodhë edhe ndonjë kolegu tim dhe një njeriu të panjohur, është shumë e rrezikshme. Jam person publik, kam krijuar një emër shumë të bukur, publiku më donte shumë. Dua, s’dua, një pjesë që nuk do kryeministrin, më urren edhe mua, pa pasur asnjë lloj lidhjeje.
Aktorja në padinë e ngritur argumenton se shfaqja e avatarit në rolin e “ministres virtuale për Inteligjencën Artificiale” është bërë pa miratimin e saj dhe në shkelje të marrëveshjes kontraktuale.
Padia është ngritur në Gjykatën Administrative ndaj Këshillit të Ministrave, Kompanisë Apel dhe AKSHI-t. Një reagim ka ardhur edhe nga qeveria. Përmes drejtoreshës së Agjencisë për Median dhe Informimin, Manjola Hasa, qeveria bën të ditur se respekton të drejtën e çdo qytetari për t’iu drejtuar drejtësisë, por pretendimet e ngritura në këtë rast, i konsideron si të pabazuar.













