Tiranë- Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda (GJKKO) ka lënë në fuqi masën “Arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Pas këtij vendimi, Veliaj është dërguar në paraburgimin e Durrësit, ku do të qëndrojë deri në zhvillimin e hetimeve të mëtejshme.
Ky vendim erdhi pas shqyrtimit të kërkesës për ndryshimin e masës së sigurisë, të cilën e kishin paraqitur avokatët e tij. Ata kishin kërkuar që Veliaj të hetohet në liri, por GJKKO ka vendosur të mbajë në fuqi masën e “arrestit me burg”.
Erion Veliaj po hetohet për akuza të rëndësishme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjeve që kanë çuar në këtë situatë.
Pas dhënies së vendimit nga GJKKO, kreu i Bashkisë së Tiranës, është dërguar në paraburgimin e Durrësit. Sakaq për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest Shtëpie” në “Detyrim Paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Sipas vendimit të gjyqtarit Erjon Bani, Xoxa duhet të paraqitet në SPAK të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 11:00.
Sa i takon biznesmenëve të përfshirë në dosje, ka mbetur në qeli biznesmeni Elman Abule, duke iu konfirmuar masa e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa për biznesmenët e tjerë ka mbetur në fuqi masat e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Masat e sigurisë dhe akuzat për të pandehurit
-Erion Veliaj – Arrest me burg; korrupsion (9 raste) dhe pastrim parash
-Ajola Xoxa – Detyrim paraqitje; korrupsion (9 raste), pastrim parash, fshehje pasurie
-Elman Abule -Arrest me burg; Pastrim Parash
-Gentian Sula – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
-Meriman Palushi – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
-Fatmir Bektashi -Detyrim paraqitjeje; Korrupsion aktiv
-Sokol Kryeziu – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
-Shkëlqim Fusha – Detyrim paraqitje; Korrupsion aktiv
