TIRANA- Pas pesë vitesh pritje, autoritetet shqiptare kanë dërguar në një laborator privat në Belgjikë organin e zemrës që dyshohet se i përket Saimir Sulës, i cili ndërroi jetë gjatë pandemisë së COVID-19 në një spital në Spanjë. Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, zemra u soll nga Spanja në Shqipëri, por për faktin se ishte e vendosur në formalinë në vendin tonë nuk mund të kryhej analiza e ADN-së që të mund të bëhej krahasimi me pas me profilin e nënës së tij dhe në këtë mënyrë të përcaktohej nëse zemra i përkiste Saimir Sulës apo ndonjë personi tjetër.
Për këtë arsye, zemra e dyshuar u mbajt për më shumë se dy vite në Institutin e Mjekësisë Ligjore, derisa këtë të mërkurë u transportua drejt Brukselit për ekzaminime të specializuara.
Sipas motrës së viktimës, vëllai i saj humbi jetën jo për shkaqe natyrore, por për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tij në një spital në Spanjë. Majlinda deklaron se e konstatoi mungesën e zemrës kur trupi i pajetë u soll në Shqipëri dhe u dërgua për autopsi në Tiranë. Më pas ajo bëri kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për trafik organesh, duke hedhur dyshime të rënda mbi rrethanat e vdekjes së vëllait të saj.
Majlinda ka kërkuar që analiza e ADN-së të bëhet në mënyrë të pavarur, duke shprehur mosbesim të thellë ndaj institucioneve shqiptare: Kam të drejtën të di nëse kjo zemër është e vëllait tim apo jo.
Në 8 Maj 2020 Saimiri shkoi në spital për një test Covidi, pasi ishte me temperaturë. Testi rezultoi negativ. Majlinda, motra e tij, priste që Saimiri të dilte nga spitali, por pas një telefonate me të, nuk e pa më të gjallë vëllain. Spitali konfirmoi vdekjen e 31-vjeçarit rreth mesditës së 9 Majit 2020. Fillimisht nga spitali u tha, që Saimir Sula është axhituar dhe gjatë momentit të neutralizimit nga rojet e spitalit, i ka pushuar zemra. Por e motra thotë se Saimiri kishte shenja dhune në trup. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Barcelonë nuk ka një konkluzion të saktë për shkaqet e vdekjes. Në telefonatën e fundit, e motra thotë se Saimiri i ka thënë: Majlinda po më vrasin!
