Nga Ersid Karaj
Problemet me qarkullimin e automjeteve dhe mungesa e një parkimi në lagjen 5 Maj në Elbasan pranë shkollës “Mahir Domi”, janë bërë mjaft shqetësuese për banorët. Jeta e tyre në përditshmëri ia vështirëson qarkullimin në mënyrë që të ecin të lirë në trotuare, për të shkuar në punë, apo për të shoqëruar fëmijët e tyre për në shkollë. Edhe gjatë natës, përreth pallatave, automjetet i sheh të parkuara ngado dhe pa sistem.

Qytetarët thonë se e kanë të vështirë të gjejnë parkim për automjetet e tyre edhe pse janë rezidentë. “Unë jetoj në këtë lagje prej 10 vjetësh dhe problem i parkimit ka qenë gjithmonë shqetësues për mua. Në mëngjes unë zgjohem herët se punoj transportues mallrash dhe furnizoj dyqane, dhe kur vi në mbrëmje nuk gjej ndonjëherë parkim. Sidomos rasteve kur kthehem vonë poshtë pallatit ku banoj mbushet plot me makina sa nuk kalohet në këmbë. I bëj thirrje bashkisë të na garantojë një vendparkimi se s’po kalojmë dot për të shkuar në shtëpi se na mbushen cepet e trotuarëve me automjete”, – shprehet qytetari A.M., banor në lagjen 5 Maj në Elbasan.
Parkimet përpara banesave
Po ashtu një banor I moshuar, i cili jeton vetëm me bashkëshorten e tij, pasi fëmijët i ka në emigracion, tha se përballet çdo ditë, madje dhe çdo natë me parkimin e parregullt. “Kam ngelur vetëm unë me gruan në shtëpi, mbahemi me pension, fëmijët mezi mbahen për vete. Me problemin e parkimit të makinave na ka zënë hall i madh, dal çdo natë rri tek porta se mos parkon njeri pranë portës sonë. Edhe pse e kam shkruar mbi portë, “Mos parko”, disa që na njohin parkojnë kastile. Unë sa nuk fle në rrugë se na bllokojnë portën e shtëpisë,” – u shpreh i moshuari.

Duket se për këto banorë, nuk u është mundësuar një zgjidhje nga qeveria vendore, apo normalizimi i parkimeve nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit. Dhe ky shqetësim është i lidhur zinxhirë për të dy palët, si për banorët pa makina, dhe ata me makina të cilët kanë probleme serioze për të siguruar mjetin e tyre në këtë zonë.

Pamja që shihni mësipër është pranë shkollës, “Mahir Domi” në Elbasan.
Veçanërisht pranë kësaj shkolle sipas nxënësve dhe banorëve ndjehet thekshëm shqetësimi i tyre, lidhur me parkimet e automjeteve.
Sidomos pas ores 15:00 kur fillon turni i dytë mësimor, oborri i tyre pranë shkollës mbushet plot me automjete dhe e kanë të pamundur të sigurojnë mjetet e tyre. Edhe prindërit e disa prej fëmijëve që sjellin dhe marrin ata në shkollë shprehen po ashtu për kaosin që krijohet çdo pasdite.
Në këtë shkollë ka edhe persona me aftësi të kufizuar që e kanë të rëndësishëm transportin nga familjarët e tyre. Ndërkohë për shkak se shumica punojnë dhe vijnë nga zona të largëta e kanë të domoszdoshëm mjetin për të ndjekur shkollën.
Një prej nxënësve të kësaj shkolle është edhe A.Dyrmyshi, 15-vjeçare, shprehet mjaft e shqetësuar për situatën e krijuar.
“Këtu është mjaft problem situata e parkimit.Sidomos kur jam në shkollë mbasdite. Dera e madhe e shkollës ngjeshet me makina sa nuk kalojmë dot. Ndonjëherë babi im e ka shumë të vështirë të më marri këtu. Koha sa vjen dhe errësohet më shpejt dhe unë kam edhe frikë të dal në rrugën kryesore. Ose vjen babi më merr ose më shoqërojnë shoqet. Shkolla duhet të na e mundësojë një vend ku të ketë mundësi parkimi, – përfundojë ajo.

Por si shprehen banorët që jetojnë në këtë zone lidhur me situatën?
Famir Myrta, banorë i lagjes 5 Maj, i cili jeton në një banesë pranë shkollës, siç shikohet edhe në foton mësipër, shprehet se shkolla e pasdites e ka bërë jetën të vështirë për ta.
-“Këtu nuk po jetohet më jo vetëm prej jetesës ekonomike, por edhe prej makinave, kjo që shihni këtu është hyrja për në shtëpinë time dhe siç e sheh për momentin është e bllokuar nga një makinë. Unë kam vëllain e sëmurë i cili në çdo moment ka nevojë për ilaçe apo kontroll mjekësor dhe këtu pas orës 3 pasdite kur është edhe procesi mësimor nuk ke ku hedh këmbën. I bëj thirrje bashkisë të na ndihmojë. Edhe një komshiu im i cili për momentin nuk është në shtëpi e kaportën e hyrjes m’u përballë oborrit parashkollës dhe ai e ka akoma më të vështirë nga mua, – u shpreh qytetari
Lidhur me këtë problematikë ne i kemi dërguar një kërkesë me shkrim Bashkisë së Elbasanit mbi këtë shqetësim dhe përgjigja ka qenë se këto problematika janë në vëmëndjen e institucionit dhe do të trajtohen në takimin më të afërt.
“Referuar dy problematikave të ngritura nga ju, si përdorimi i lëndëve narkotike në lagjen “5 Maj” dhe problemin e qarkullimit rrugor, do t’i trajtojmë si problematika në takimin e radhës të KVSP-së” thuhet në përgjigjen e bashkisë Elbasan.


Parkimi po kthehet në problem shqetësues jo vetëm në rrugët kryesore dhe në qendër të qytetit por edhe në lagje apo rrugica. Ndërhyja e pushtetit vendor duke I ofruar zgjidhje qytetarëve nëpërmjet mundësive alternative dhe një monitorimi më të mirë të zonës do të bënte të mundur evitimin e konflikteve që nuk janë të rralla dhe që mund të kenë pasoja të rënda për qytetarët.