Park4Youth, nisma që bën bashkë të rinjtë e Elbasanit

Park4Youth është nisma e të rinjve të Elbasanit për të kthyer parkun Rinia në një vend miqësor për ta. Në kuadër të këtij projekti, të rinjtë e organizatës INAC po ndërmarrin një sërë aktivitetesh që kanë në fokus sigurinë e tyre dhe të të gjithë bashkëmoshatarëve në hapësirat publike, sikurse është edhe parku i qytetit. RAYS është një projekt i Qeverisë Britanike që synon të promovojë stile të shëndetshme jetese tek të rinjtë shqiptarë.

Së pari, do të zhvillohet një nismë advokuese kundrejt pushtetit lokal ku të rinjtë do të parashtrojnë kërkesat e tyre për investime në parkun e qytetit në mënyrë që të jetë më funksional dhe për rrjedhojë më i frekuentueshëm nga ata.

Së dyti, do të ndërmarrin aktivitete të ndryshme, të cilat synojnë të eduktojnë të rinjtë të jenë miqësorë me mjedisin, t’i përdorin hapësirat publike për aktivitete interaktive të shëndetshme e të sigurta.

Për të grumbulluar mendimet e të rinjve mbi mundësitë dhe sigurinë që ofron Parku “Rinia” u përdor një pyetësor i realizuar përmes një instrumenti të dedikuar si ECR tool. Ky pyetësor ëshë shpërndarë tek të gjithë të rinjtë e gjimnazeve të qytetit të Elbasanit përmes rrjeteve sociale dhe u plotësua nga 221 persona me një moshë mesatare 16 vjec.

Pyetësori kishte pyetje me alternativa përmes të cilave do të benim një klasifikim mbi gjeneralitetet e të rinjve, por edhe mbi kohën që ata kalojnë në park dhe se sa të sigurtë ndjehen ata në këtë hapësirë publike të qytetit të Elbasanit.

Pyetësori kishte edhe pyetje të hapura përmes të cilave kerkojmë të marrim mendime dhe propozime mbi mënyrën e rikonceptimit të ambjenteve të cilat ata i konsiderojnë si jo të sigurta, në vende ku ata mund të argëtohen.

Ky pyetësor i’u shpërnda rreth 500 të rinjve të moshës 15-19 vjeç dhe u plotësua nga rreth 44% e tyre. Nga këto 60.5% të gjinisë femërore, 31.8% meshkuj ndërsa pjesa e mbetur nuk ka specifikuar gjininë.

Gjetje të rëndësishme

Të bën përshtypje fakti se pyetjes: “A kaloni kohë në park?”, pjesa më e madhe e të rinjve, rreth 76.3% e tyre i janë përgjigjur “Pak” ose “Mjaftueshëm”, në një kohë që parku  “Rinia” duhet të ishte një hapësirë ku të rinjtë duhet të gjejnë mundësi të pafundme qetësie, argëtimi, sportive etj. Vetëm 13% e tyre janë shprehur se kalojnë “shumë kohë” në parkun e qytetit.

Pse ndodh kjo? Gjatë intervistimit të të rinjve rezulton se arsyeja, që pjesa më e madhe e të rinjve nuk kalon shumë kohë në park është se ata nuk e konsiderojnë këtë ambient të sigurtë.

Konkretisht, sipas të dhënave të mbledhura nga pyetësori, rreth 43.7% e të rinjve mendojnë se Parku “Rinia” nuk është i sigurtë, 46.2% mendojnë se mund të marrë vetëm një notë kaluese për sigurinë dhe vetëm 10.1% e tyre mendojnë se parku “Rinia” është një vend i sigurtë që të rinjtë të kalojnë më shumë kohë në të.

Nëpërmjet pyetësorit të rinjtë kanë propozuar disa investime që mund të bëhen në hapësirën e parkut.

Rreth, 43% e të rinjve mendojnë se pushteti lokal duhet ti kushtojë më shumë rëndësi sigurisë në park dhe investimeve në këtë kategori. Në këtë kontekst ata propozojnë:

  • Vendosjen e kamerave të sigurisë
  • Shtimin e ndricimit në parkun e qytetit
  • Vendosja e kangjellave rreth e qark parkut që fëmijët e vegjël të mos kalojnë në rrugën e makinës dhe rrethim për kanionin që përshkon parkun që fëmijët të mos rrezikojnë të bien në të.
  • Rreth, 42% e të rinjve propozojnë që t’i kushtohet më shumë vemendje gjelbërimit dhe pastrimit të parkut. “ Ka shumë beton në park” shprehet njëra nga vajzat. “Nëse do të kishte më shumë pemë ambienti do të ishte më shplodhës, më i bukur e mbi të gjitha më i shëndetshëm”. “Edhe pastrimit nga mbeturinat duhet t’i kushtohet më shumë vemendje, nga shërbimi i qytetit por edhe nga vetë qytetarët’, shprehet një tjetër i ri gjatë përgjigjeve të pyetësorit.
    Ndërkohë, edhe mungesa e stolave është një problem shqetësues.
  • Rreth, 45% e të rinjve mendojnë se shtimi i hapësirave argëtuese do ti drejtonte më shumë drejt ambienteve të parkut. Ndër të tjera ata ,mendojnë se parku duhet të pasurohet me ambiente sportive të ndryshme për moshën e tyre si: një kalçeto, një fushë basketbolli, një fushë tenisi etj.

Madje disa prej tyre propozojnë që pushteti lokal sëbashku me strukturat e tij rinore duhet të organizojnë më shumë aktivitete për të rinjtë në park, siç do të ishin koncertet, kinematë e hapura, bibliotekat, galeritë, etj.

  • Një ndër pikat që do të dëshironim të veçonim dhe që preket nga pothuajse të gjithë të rinjtë, është ekzistenca e kanionit që përshkon parkun, i cili në bazë të projektit duhet të shërbente si oaz qetësie, por që ndërkohë është kthyer një strehë aspak të sigurtë ku të rinjtë drogohen dhe si një vatër infeksioni për pjesën tjetër të qytetarëve që e frekuentojnë.
  • Si mund të përmirësohen situata?

Një grup i të rinjve propozojnë që kanali të rimodelohet në mënyrë që të kthehet në një ambient ku ata mund të argëtohen duke bërë skateboard, kacavjerrje etj. Një pjesë tjetër mendojnë se mund të kthehet në një hapësirë ku mund të shpalosin talentin e tyre në fushën e pikturës, skulpturës, etj duke e kthyer atë në një galeri  të hapur arti për te rinjtë.