TIRANË — Meteorologu i MeteoAlb, Hakil Osmani, në një lidhje live për Euronews me moderatoren Alba Xhana, ka bërë parashikimin e detajuar të motit për këtë fundjavë dhe për gjithë muajin tetor.
Sipas tij, kjo fundjavë do të jetë kryesisht e qëndrueshme, me intervale të gjata me diell, ndërsa në orët e para të mëngjesit do të ketë një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit.
“Kjo fundjavë do të vijojë që mëngjeset t’i ketë të freskëta në vendin tonë duke bërë që minimumet në qytetet e zonave malore, edhe pse do të kenë një rikuperim të lehtë, pritet të luhaten në 8 apo 9°C, ndërsa në ultësirën perëndimore në orët e para të mëngjesit minimumet do të jenë nga 13 e jo më shumë se vlera 17 apo 18°C në vijën bregdetare,” tha Osmani.
Për orët e mesditës parashikohet rritje e menjëhershme e temperaturave, ku maksimumet përgjatë kësaj fundjave pritet të arrijnë në vlerat 27 apo 28°C.
“Për të gjithë ata që kanë mundësi të pushojnë përgjatë kësaj fundjave edhe në vijën bregdetare, pse jo, pasi duke filluar nga ora 10:00 dhe të paktën deri rreth orës 15:00-16:00 mbasdite kemi temperatura mjaft komode,” u shpreh ai.
Kushtet e motit do të mbeten të favorshme me diell që nga orët e mëngjesit, ndërsa në pasdite priten kalime të lehta vranësirash në zonat malore, por pa reshje shiu.
Sa i përket muajit tetor në përgjithësi, meteorologu bëri me dije se në 15-ditëshin e parë do të kemi temperatura me vlera pranë normales, por rreth 1.5°C më të larta në orët e mëngjesit.
“Java që vjen sjell një rritje të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit, duke bërë që të kemi një diferencë akoma më të lartë mes temperaturave minimale normale dhe atyre që do të përjetojmë,” shpjegoi Osmani.
Lidhur me reshjet e shiut, gjatë këtij muaji parashikohen vetëm dy episode me vranësira të shpeshta, ku i pari pritet të shfaqet gjatë fundjavës së ardhshme.




