Parandalohet gjuetia e paligjshme në Parkun Kombëtar të Shebenikut, procedohen 3 persona nga Elbasani

Librazhd, 31 tetor 2025
Policia e Librazhdit ka parandaluar një rast të gjuetisë së paligjshme në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Shebenikut, duke kapur në flagrancë tre shtetas që udhëtonin të armatosur me armë gjahu dhe municion.
Gjatë kontrolleve të shërbimeve policore në fshatin Stërblevë, në rrugën që të çon drejt parkut, efektivët kanë ndaluar një automjet tip “Suzuki”, në të cilin udhëtonin tre persona. Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti dhe sekuestroi tre armë gjahu me leje si dhe dy gjerdanë me 30 fishekë, që shërbimet dyshojnë se do të përdoreshin për gjueti në zonën e mbrojtur.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë procedimi penal për shtetasit:

O. D., 44 vjeç,

L. D., 21 vjeç,

R. Sh., 21 vjeç,
të tre banues në Elbasan, për veprën penale “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë.

Policia e Shtetit thekson se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në zonat e mbrojtura, me qëllim parandalimin e gjuetisë së paligjshme dhe ruajtjen e biodiversitetit në territorin e Parkut Kombëtar të Shebenikut.