Ervis Çota, prej vitesh pjesë e organizatës “Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome” i ftuar në podcast ngre diskutime të rëndësishme në lidhje me arsimimin dhe edukimin e nxënësve që vijnë nga këto komunitete.
Sipas tij mësimi i kombinuar dhe përfshirja e teknologjisë në procesin mësimor luan një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në përvetësimin e njohurive, por edhe në nxitjen e dëshirës për të mësuar. Nxënësit pjesë e komunitetit rom e egjiptian, hasin vështirësi të shumta në përvetësimin e njohurive lidhur me përdorimin e pajisjeve teknologjike. Por këto njohuri në ditët e sotme luajnë një rol shumë të rëndësishëm, ndaj përfshirja dhe angazhimi është i domosdoshëm.
“Ofrimi i pajisjeve teknologjike është një komponent që ndikon në rritjen e dëshirës së nxënësve për të qëndruar në shkollë dhe për të marrë më shumë informacione, për të përdorur këto teknologji dhe për të rritur aftësitë e tyre digjitale”- shprehet Ervisi.
Një tjetër rol të rëndësishëm sipas tij, luan pa dyshim dhe bashkëpunimi mes komunitetit të prindërve dhe komunitetit të mësuesve.“Nëse nuk do kemi një ndërthurje të gjithë këtyre aktorëve nuk u mundësohet këtyre nxënësve, romë dhe egjiptjan një mësimdhënie cilësore e efikase”- thotë ai.
Por cilat janë ndërhyrjet e nevojshme që do të duhen të ndërmerren në mënyrë që bashkë me progresin të rritet edhe dëshira nxënësit për të qëndruar në orën e mësimit, Ervis Çota thotë se:
“Që të qëndrojnë nxënësit pas mësimit ka nevojë për një motivim shumë më të madh nga ana e prindërve dhe nga ana e mësuesve. Këtu do të duhet që të ketë, si të thuash edhe një ndërhyrje nga institucionet publike për ti mundësuar të gjithë infrastrukturat e nevojshme edhe shkollës, por edhe për t’u krijuar mbështetjen e duhur gjithë mësuesve të cilët do angazhohen për të qëndruar pas orës së mësimit për t’u ofruar mësim plotësues apo për përdorim dhe të teknologjisë, rritjen e e kapaciteteve të përdorimit të teknologjisë, të nxënësve romë dhe egjiptjanë.”
Në qytetin e Elbasanit një pjesë e shkollave janë Qendër-Komunitare, në të cilat nxënësve nuk u ofrohet vetëm mësim, por kanë mundësi të angazhohen edhe në aktivitete të ndryshme. Këto shkolla ofrojnë mundësi shumë të mira dhe përgjithësisht plotësojnë kushtet e nevojshme lidhur me infrastrukturën, por disa shkolla të tjera të qytetit, siç janë Sul Misiri, Qemal Haxhihasani apo Ptoleme Xhuvani nuk kanë njohur investime prej vitesh.
Lidhur me këtë çështje Çota shprehet se në qytetin e Elbasanit janë rreth 4 shkolla që rrezikojnë segregimin. “Në rast se nuk do të ketë ndërhyrje nga ana institucioneve përkatëse, në gjykimin tim, në një të ardhme shumë të afërt këto shkolla do të shkojnë drejt segregimit. Rrjedhimisht procesi mësimor do të jetë shumë i ulët, niveli arsimor shumë i ulët dhe këto shkolla nuk do të prodhojnë më nxënës që do të dinë të shkruajnë e lexojnë, pra po flasim për gjëra bazike”- shprehet Ervis Çota.
Sipas tij këto shkolla paraqiten thuajse të amortizuara dhe në gjendje të mjerueshme përsa i përket infrastrukturës. Në një situatë të tillë ndërhyrja nga ana e institucioneve përgjegjëse është e domosdoshme.
Në ofrimin e pajisjeve teknologjike dhe mundësimin e laboratorëve një vend shumë të rendësishëm ze kontributi i organizatave civile sic është edhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke krijuar lehtësira e duke i mundësuar këtyre nxënësve një mësim të kombinuar.
