Organizoi tentativën për vrasjen e Ines Hajrullës, Gjykata lë në burg 35-vjeçarin (emri)

Pas kërkesës së SPAK për caktimin e masës së sigurisë, GJKKO ka lënë në burg 35-vjeçarin Muharem Koroveshi alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj.

Ai akuzohet si organizator për atentatin ndaj Ines Hajrullës.

Njoftimi:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 02.02.2024 i është drejtuar Gjykatës me kërkesën me objekt: Caktimin ndaj personit nën hetim Muharem Koroveshi alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerje të veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”,“Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 80, 278/1 28/4 të Kodit Penal, “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/ i Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

2. Lidhur më shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenin 244 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 11 Akti, datë 05.02.2024, ndër të tjera vendosi: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti me burg” parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale ndaj personit nën hetim Muharem Koroveshi alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj.