Organizatat e të rinjve në Ditën e Rinisë: “Stop gjuhës së urrejtjes në hapësirën publike”


Rrjeti i Profesionistëve të Rinj, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe AWA i bëjnë thirrje AMA-s dhe Parlamentit të ndërhyjnë urgjentisht për frenimin e gjuhës së urrejtjes në media dhe politikë.

Në Ditën e Rinisë, tre organizata të rëndësishme që punojnë me të rinjtë—Rrjeti i Profesionistëve të Rinj, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe “Gruaja Shqiptare në Audiovizual” (AWA)—kanë publikuar një deklaratë të fortë publike drejtuar Parlamentit të Shqipërisë dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), ku kërkojnë marrjen e menjëhershme të masave kundër përhapjes së gjuhës së urrejtjes në hapësirën publike.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për vitin 2025, të rinjtë e moshës 15–29 vjeç përbëjnë 21.3% të popullsisë shqiptare. Megjithëse konsiderohen forca më vitale e shoqërisë, organizatat theksojnë se të rinjtë po përballen me nivele në rritje të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, të cilat po ndikojnë negativisht në mirëqenien e tyre emocionale dhe në kohezionin shoqëror.

Në deklaratë theksohet se 60% e të rinjve e shohin gjuhën e urrejtjes si një nga pengesat kryesore për ndërveprimin social, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar mbi 16 raste dhune me armë të ftohta mes të rinjve, disa prej të cilave me pasoja tragjike. Sipas organizatave, këto janë sinjale alarmante se normalizimi i dhunës publike po ushqen sjellje të rrezikshme në jetën reale.

Thirrja për AMA-n

Organizatat kërkojnë që Autoriteti i Mediave Audiovizive të ushtrojë plotësisht mandatin e tij ligjor, duke forcuar monitorimin e programeve televizive që përmbajnë gjuhë denigruese, tallëse apo nxitëse të dhunës. Sipas deklaratës, AMA duhet të publikojë raporte periodike mbi shkeljet, të vendosë standarde të qarta komunikimi dhe të ndërmarrë masa ndaj programeve që normalizojnë gjuhën përçarëse.

“AMA duhet të jetë aktive, e vendosur dhe e paanshme,” nënvizohet në deklaratë.

Thirrja për Parlamentin

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë, të cilit i kërkohet të zbatojë me rigorozitet Kodin e Etikës dhe të vendosë standarde të larta komunikimi në jetën politike.

Organizatat theksojnë se gjuha e përdorur në sallën e Parlamentit kthehet në normë shoqërore, duke ndikuar drejtpërdrejt tek të rinjtë që e ndjekin dhe e imitojnë këtë diskurs. Kërkohet promovimi i një klime debati konstruktiv dhe edukues, që forcon kulturën demokratike dhe respektin institucional.

Mesazhi përfundimtar

“Çdo fjalë e urrejtjes që normalizohet sot, është një plagë në themelin e shoqërisë së nesërme”, theksojnë organizatat, duke u bërë thirrje institucioneve shtetërore, mediave, politikës dhe publikut të marrin përgjegjësinë për të krijuar një hapësirë komunikimi të sigurt dhe gjithëpërfshirëse për brezin e ri.

Deklarata

Deklarate_Dita e Rinise_8 dhjetor_7 Dec