Operacion shpëtimi në Gjirin e Gramës, Forca Detare shpëton 3 persona

Një operacion shpëtimi u finalizua me sukses në orët e pasdites së së mërkurës në Gjirin e Gramës, ku një velierë me tre persona në bord pësoi defekt në motor, duke u bërë subjekt i një misioni emergjent nga Forca Detare.

Pas marrjes së sinjalit për ndihmë, anija patrulluese P-116 “BORA” u angazhua menjëherë në operacionin SAR (Kërkim-Shpëtim), në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Vlorës dhe Qendrën Kombëtare të Koordinimit të Kërkim-Shpëtimit Detar (QKKSH).

Të tre personat në bord u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe aktualisht ndodhen jashtë çdo rreziku për jetën. Veliera e dëmtuar u rimorkua me sukses dhe u ankorua në portin e Himarës.

Forca Detare ka rikonfirmuar angazhimin e saj për reagim të shpejtë dhe efikas në rastet e emergjencave detare, duke garantuar sigurinë e lundruesve në ujërat territoriale shqiptare.