Operacion antidrogë në Peqin. Arrestohen babë e bir nga dy familje dhe një tjetër. Një në kërkim dhe një procedim

Peqin, 18 shtator 2025 – Policia e Peqinit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, finalizoi operacionin policor të koduar “Syri i natës”, pas një hetimi disa-javor me metoda proaktive.

Gjatë operacionit u goditën veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje. Si rezultat:

u asgjësuan 112 bimë narkotike, të kultivuara në vendin e quajtur “Zabeli i Akaciave”, në fshatin Karinë;

u sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 2 pistoleta, sasi municioni luftarak, 1 armë gjahu, kapsolla detonatore me fitil zjarrpërcjellës, thika dhe një targë automjeti.

Në kuadër të operacionit, u arrestuan në flagrancë 5 shtetas:

Qemal Kaseja, 67 vjeç, dhe Qazim Kaseja, 24 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Karinë;

Erges Juba, 37 vjeç, banues në Peqin;

Altin Haskasa, 31 vjeç, dhe Ali Haskasa, 59 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Garunjë e Vogël.

Gjithashtu, nisi procedimi penal për një 32-vjeçar, ndërsa u shpall në kërkim një tjetër shtetas.

Policia bën të ditur se vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.