“Nxënësit duhet të largohen”/ Alarmi për bombë te kolegji privat, ja mesazhi i shkollës për prindërit

Një alarm për bombë i mbërritur me e-mail shkaktoi panik te kolegji privat “Turgut Ozal” në Tiranë.

Drejtuesit e shkollës njoftuan menjëherë prindërit e nxënësve duke i njoftuar për situatën dhe se fëmijët po largoheshin në shtëpi.

“I nderuar prind, ju informojmë se në shkollë është dërguar një e-mail dhe duhet që nxënësit të largohen për në shtëpi. Po bashkëpunojmë me policinë. Nuk ka panik dhe të gjithë fëmijët janë shumë mirë! Transporti i fëmijëve do të jetë me furgon ose nga ana e prindërve nëse ka mundësi. Do mbetemi në kontakt. Mësuesja kujdestare.”- thuhej në mesazhin që iu dërgua prindërve.

Megjithatë, alarmi rezultoi i rremë. Policia ka reaguar duke thënë se pas kontrolleve në godinën e institucionit arsimor, nuk është gjetur asgjë.

“Më datë 21.02.2025, rreth orës 11:30, është marrë njoftim se në adresën e një shkolle private në zonën e Misto-Mames, ka ardhur e-mail i shkruar anglisht në të cilin thuhej se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente për 43 minuta.

Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e nxënësve dhe stafit të shkollës. Vijon kryerja e kontrollit dhe verifikimeve përkatëse nëse njoftimi është i rremë. Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve”, thuhet në reagimin e policisë.