Një rast i rëndë i denoncuar nga prindi i një nxënëseje të klasës së 7-të në shkollën 9-vjeçare “Vadardhë” në Sukth ka sjellë përplasje mes qëndrimit të shkollës dhe institucioneve mbikëqyrëse.
Ndërsa drejtoria e shkollës mohon të ketë pasur bullizim, Shërbimi Social dhe Avokati i Popullit konfirmojnë se rasti është trajtuar dhe po monitorohet.
Prindi denoncon se prej muajsh vajza e tij është bullizuar nga bashkëmoshatarët. Sipas tij, një nga episodet më të rënda ka qenë kur në shpinë i është ngjitur një letër me mbishkrimin “Jam budallaqe”. Në raste të tjera, ajo është ofenduar me fjalë si “injorante”.
Ai shprehet se situata ka ndikuar ndjeshëm në gjendjen emocionale të vajzës, e cila është mbyllur në vetvete, nuk shpreh më shqetësimet e saj dhe nuk shkon me dëshirë në shkollë. Sipas prindit, vajza i ka thënë se nëse do të kishte pasur reagim të menjëhershëm nga prindërit dhe shkolla, situata nuk do të kishte arritur në këtë pikë.
I ndjerë i pambështetur, ai është ankuar pranë Avokati të Popullit, Ministrisë së Arsimit dhe strukturave arsimore vendore. Në përgjigjet e marra, pranohet se ankesa është shqyrtuar, por mohohet ekzistenca e bullizimit.
Gjatë një interviste, drejtori i shkollës deklaron se bëhet fjalë për konflikte të zakonshme mes nxënësve dhe jo për bullizim të vazhdueshëm. Sipas tij, nxënëset janë pajtuar në prani të prindërve, psikologes, mësueses kujdestare dhe drejtuesve të shkollës.
Ai thekson se njëra prej vajzave ka pranuar përdorimin e fjalëve fyese, ka kërkuar falje dhe është nënshkruar një deklaratë nga të dyja palët për mospërsëritjen e sjelljeve të tilla. Drejtori shton se nxënësja nuk ka pësuar rënie në mësime dhe se situata është ndjekur nga psikologia e shkollës.
Megjithatë, ai mohon që të ketë pasur bullizim sistematik, duke e cilësuar situatën si një konflikt të momentit. Ndryshe nga qëndrimi i shkollës, strukturat e tjera institucionale kanë ndërmarrë hapa konkretë.
Avokati i Popullit ka konfirmuar se ka kryer hetim administrativ, duke kërkuar shpjegime nga drejtoria e shkollës, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës dhe Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve në Bashkinë Durrës. Sipas përgjigjes zyrtare, rasti do të vijojë të jetë nën monitorim.
Ndërkohë, Drejtoria e Shërbimit Social në Bashkinë Durrës, në raportin e saj, thekson se në mbledhjen e Grupit Teknik Ndërsektorial është vendosur: Ndjekja e vazhdueshme e sjelljes së vajzave nga psikologia e shkollës; Punë edukative nga mësuesja kujdestare për gjuhën e respektit; Organizimi i një takimi sensibilizues për bullizmin në shkollë.
Ky rast nxjerr ne pah se shpesh bullizimi minimizohet si “sharje mes fëmijësh”, ndërsa pasojat emocionale mund të jenë të thella. Edhe pse drejtoria e shkollës e mohon termin “bullizim”, vetë fakti që rasti është trajtuar nga disa institucione dhe është vendosur nën monitorim të vazhdueshëm tregon se situata nuk është konsideruar e parëndësishme.
Përtej deklaratave dhe formulimeve zyrtare, në qendër mbetet mirëqenia e një fëmije. Çdo sinjal alarmi në mjediset shkollore kërkon reagim të shpejtë dhe serioz, sepse pas çdo rasti të tillë qëndron një gjendje emocionale që nuk duhet neglizhuar.













