Nuk të shpëtojnë investimet e qeverisë apo të donatorëve për llogaridhënien ndaj qytetarëve

Bashkia Elbasan nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me investimet në shëndetësi. Nëse urgjenca, pediatria apo investime të tjera të shëndetësisë do të promovoheshin në zgjedhjet e përgjithshme, kjo do të ishte normale por kur sheh kryetarin aktual të bashkisë që përdor këto investime duke i transmetuar si pjesë të ndryshimeve që ai ka bërë në shëndetësi në bashkinë Elbasan, kjo të bën vërtet për të qeshur. Bashkia Elbasan sigurisht që ka investime e ndërhyrje për të promovuar por jo mjaftueshëm pasi mjafton një analizë e buxheteve të tri viteve të fundit për të kuptuar sa investime janë zhvilluar realisht në bashkinë Elbasan dhe numërohen me gishtat e dorës. Po kështu mjafton t’i hedhësh një sy investimeve që prekin drejpërdrejt qytetarët si furnizimi i ujit të pijshëm që tashmë nga premtimet e stërpremtimet e të majtëve në pushtet, duhet të ishte 24 orë furnizim. Apo mjafton të shikosh investimin e bërë keq si parku Rinia, ku betoni ka lulëzuar mbi pemët dhe gjelbërimin. Nuk është hera e parë që kryebashkiaku aktual Gledian Llatja përdor një investim të donatorëve si të bashkisë, mjafton të përmendim kopshtin tek Shkolla e Muzikës, ku bashkia ofroi truallin dhe lejen ndërsa investimi ishte i Save the Children. Kështu Qendra Shëndetësore në lagjen 5 Maj, para së cilës flet kryebashkiaku në spotin e shëndetësisë është investim i një fondacioni të huaj, edhe pse vlen të diskutohet materiali dhe cilësia e kësaj godine. Njëkohësisht investime të tjera në shendëtësi janë bërë me donacione si rasti I qendrës shëndetësore në lagjen Vullnetari, që vetë Llatja e promovon në webin e bashkisë.
Kryetari i bashkisë është administratori i qytetit. Duhet të na tregojë sa mirë i ka administruar taksat tona dhe si i ka përdorur me nikorqillëk duke i përkthyer në investime. Si i ka trajtuar qytetarët në të barabartë duke mos favorizuar biznese të caktuara, duke mos lejuar nepotizëm, abuzim me detyrën dhe konflikt interesi në bashki. Të na tregojë se si po përmirëson furnizimin me ujë të qytetit e çfarë vizioni ka për Elbasanin dhe jo të na japë planet e qeverisë si të bashkisë pasi këto nuk janë zgjedhjet e përgjithshme por zgjedhjet për qytetarin e parë të Elbasanit.