“Nuk do të kthehem më në shtëpi” – Zhduket prej katër ditësh 16-vjeçarja shqiptare në Greqi, nëna: Telefoni është i fikur, besoj se dikush fshihet pas mesazhit
Athinë, 19 Qershor 2025 – Prej katër ditësh nuk ka asnjë gjurmë të 16-vjeçares shqiptare Emilia Veliu, e cila është zhdukur në rrethana misterioze në Greqi. Sipas dëshmisë së nënës për median greke Protothema.gr, vajza doli për një shëtitje me shoqet më 16 qershor dhe që prej asaj nate nuk është kthyer më në shtëpi.
Alarmi është ngritur nga prindërit, të cilët e kanë të pamundur të komunikojnë me të bijën, pasi telefoni i saj rezulton i çaktivizuar. Nëna e Emilias tregon se ka marrë një mesazh nga telefoni i vajzës ku shkruhej: “Nuk do të kthehem më në shtëpi”. Ajo shprehet e bindur se ky mesazh mund të mos jetë dërguar nga vajza, por nga dikush tjetër që mund ta ketë keqpërdorur telefonin dhe që mund të përbëjë rrezik për të miturën.
“Jam shumë e shqetësuar për fatin e vajzës sime. Nuk ka pasur kurrë probleme, nuk ka dalë më parë me shoqe që nuk i njihnim. Kam frikë se pas atij mesazhi fshihet dikush tjetër që dëshiron t’i bëjë keq,” – është shprehur nëna.
Policia greke ka nisur hetimet dhe i ka bërë thirrje qytetarëve që nëse kanë informacion mbi vendndodhjen e 16-vjeçares, të kontaktojnë menjëherë në numrin 116000 apo në çdo komisariat lokal. Ndërkohë, familjarët e Emilias kanë shpërndarë foton dhe të dhënat e saj në rrjetet sociale në përpjekje për të sensibilizuar publikun.
Sipas përshkrimit të dhënë nga familjarët, Emilia ka flokë të kuq, sy kafe, është rreth 1.70 m e gjatë dhe peshon 65 kg. Ditën që u zhduk, ajo kishte veshur xhinse të zeza, një bluzë të zezë pa mëngë, syze dielli dhe mbante një çantë ngjyrë vishnje.
Një tjetër zhvillim shqetësues është se policia greke ka shpallur zhdukjen e Emilias si rrëmbim, bazuar në të dhënat e deritanishme.
Familjarët kërkojnë ndihmën e çdo qytetari për të gjetur vajzën dhe për ta kthyer të sigurt në shtëpi.
