Një pandemi globale! Çrregullimet mendore prekin 1.2 miliardë njerëz, gratë më të prekurat

Çrregullimet mendore në botë pothuajse janë dyfishuar që nga viti 1990 dhe sot prekin rreth 1,2 miliardë njerëz, duke u bërë shkaku kryesor global i viteve të jetuara me paaftësi.

Kjo del nga një studim i publikuar në The Lancet dhe i koordinuar nga ”Institute for Health Metrics and Evaluation” së bashku me University of Queensland, i cili analizon përhapjen dhe ndikimin e çrregullimeve mendore në 204 vende mes viteve 1990 dhe 2023.

Një pandemi ankthi dhe depresioni

Kërkimi përshkruan studimin më të madh të realizuar deri më sot mbi barrën globale të çrregullimeve mendore dhe tregon se ankthi dhe depresioni përfaqësojnë sot një nga emergjencat më të mëdha shëndetësore botërore.

Sipas autorëve, çrregullimet mendore janë bërë shkaku kryesor i paaftësisë në nivel global, duke kaluar sëmundjet kardiovaskulare, tumoret dhe patologjitë muskulore-skeletore.

Në vitin 2023 këto gjendje shkaktuan gjithsej 171 milionë DALYs, pra vite jete të humbura për shkak të vdekjes së parakohshme ose të jetuara me paaftësi, që përbëjnë më shumë se 17 për qind të të gjitha viteve të jetuara me paaftësi në botë.

Roli i Covid-it dhe pabarazive sociale

Ankthi dhe depresioni madhor renditen respektivisht në vendin e njëmbëdhjetë dhe të pesëmbëdhjetë mes 304 shkaqeve kryesore globale të sëmundjeve dhe dëmtimeve të marra në shqyrtim nga studimi.

Studiuesit sinjalizojnë gjithashtu një rritje të fortë të vërejtur pas pandemisë së Covid-19.

Që nga viti 2019, përhapja e standardizuar e depresionit madhor është rritur me rreth 24 për qind, ndërsa çrregullimet e ankthit janë rritur me më shumë se 47 për qind.

Sipas autorëve, pasojat psikologjike të pandemisë i shtohen faktorëve strukturorë afatgjatë si varfëria, pasiguria sociale, dhuna, abuzimi dhe reduktimi i marrëdhënieve sociale.

Kriza e adoleshentëve dhe të rinjve

Studimi thekson se barra më e madhe përqendrohet te adoleshentët dhe të rinjtë, veçanërisht në grupmoshën 15-19 vjeç.

Sipas autorëve, kjo fazë e jetës përfaqëson një periudhë vendimtare për zhvillimin shkollor, profesional dhe shoqëror, duke i bërë pasojat e çrregullimeve mendore veçanërisht të rëndësishme në afatgjatë.

“Në moshën e adoleshencës, ankthi dhe depresioni bëhen komponentët kryesorë të barrës së sëmundjeve mendore”, shpjegon Alize Ferrari.

“Bëhet fjalë për një fazë kritike që mund të ndikojë thellësisht në arsimim, punësim dhe marrëdhëniet sociale të së ardhmes”, shton ajo.

Gratë më të prekurat

Rezultatet tregojnë gjithashtu një cenueshmëri më të madhe te gratë. Në vitin 2023, rreth 620 milionë gra jetonin me të paktën një çrregullim mendor, krahasuar me 552 milionë burra.

Gratë regjistruan gjithashtu një barrë më të lartë të paaftësisë, me 92,6 milionë DALYs kundrejt 78,6 milionëve te burrat.

Sipas autorëve, ky hendek mund të lidhet me ekspozimin më të madh ndaj dhunës në familje, abuzimeve seksuale, barrës së kujdesit familjar dhe diskriminimeve strukturore gjinore.

Harta botërore

Nga pikëpamja gjeografike, pesha e çrregullimeve mendore është rritur në të gjitha rajonet e planetit, por me dallime të forta mes vendeve.

Disa nga nivelet më të larta janë vërejtur në rajone me të ardhura të larta si Australazia dhe Europa Perëndimore, me nivele veçanërisht të larta në Holandë, Portugali dhe Australi.

Rritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe në Afrikën Subsahariane Perëndimore dhe në disa zona të Azisë Jugore.

Sipas studiuesve, problemi rëndohet edhe më shumë nga mungesa globale e kujdesit dhe trajtimeve adekuate për shëndetin mendor.