‘Një deputet paguhet sa 39 të moshuar’/ Pankartat ‘pikante’ nga protesta e ‘Lëvizjes Bashkë’ para Kuvendit

TIRANË- Mëngjesin e kësaj të enjteje, paralelisht me nisjen e seancës plenare në Kuvend, anëtarët e ‘Lëvizjes Bashkë’ protestuan jashtë ambienteve të Parlamentit.

Me pankarta në duar “Një deputet paguhet sa 39 të moshuar”, “Më i lartë tensioni se pensioni”, “Si shkuan pushimet në Dubai”, “Po vidhen miliona, populli ha bukë thatë”, ata kërkojnë që të miratohet minimumi jetik.

Ata kërkuan me çdo kusht miratimin e ligjit për ‘Minimumin jetik’ teksa akuzuan qeverinë se po përfitojnë në kurriz të pensionistëve e qytetarëve me ekonomi të ulët.

Në fjalën e tij, drejtuesi i lëvizjes Arlind Qorri tha se është fatkeqësi të jesh pensionist në Shqipëri,pasi shteti i ka harruar këta individë.

Sipas tij në vendet e pëpraruara, dita e pensionit është një ditë ku qytetarët gëzojnë frytet e punës që kanë kryer përgjatë dekadave, ndërkohë që në Shqipëri dita e pensionit është një ditë e mallkuar.

Ai shtoi se miratimi i minimunit jetik është një domosdoshmëri për qytetarët dhe pensionistët që të marrin mbështetjen e duhur.

“Ne jemi akoma në kushtet ku të varfërit i jepet e njëjta përgjigje nga shteti i tij, i cili i thotë zoti të dhashtë dhe nëse nuk i thotë zoti të dhashtë, i thotë të dhëntë fëmija. Shteti nuk ka asnjë lloj detyrimi. Ti mund të kesh punuar për 40 vite në të bardhë dhe në të zezë dhe shteti nuk ka asnjë lloj detyrimi ndaj tyre. Rrofshin kalamajtë që ikin nga sytë këmbët në Gjermani e Amerikë, mbrapa diellit dhe që punojnë nga dy punojnë nga dy ose tre punë jo vetëm për të mbajtur veten, por për të mbajtur dhe bashkëfamiljarët e tyre. Mjerë në Shqipëri po dole në pension. Në vend e përparaua pensioni është një ditë që qytetari mezi e pret pasi ka punuar disa dekada dhe thotë që do ruaj nivelin e mirëqenies dhe nuk do shkoj në punë. Në Shqipëri dita e pensionit është e mallkuar, për atë shumicë që merr 80 mijë lekë”, tha Qorri.