TIRANË – Ministria e Arsimit ka nisur përmirësimin e programeve dhe teksteve shkollore, pas rezultateve të dobëta të nxënësve shqiptarë në testimet ndërkombëtare si Programme for International Student Assessment (PISA) dhe Trends in International Mathematics and Science Study (TIMSS).
Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Edukimit, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi se ndërhyrja në kurrikulë dhe tekste është një domosdoshmëri, e mbështetur në analiza të brendshme dhe përvojat e vendeve europiane.
Sipas saj, rreth 200 profesionistë të arsimit janë përfshirë në procesin e rishikimit, me synim ndërtimin e një kurrikule moderne dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht. Ajo theksoi se përditësimi është mbështetur edhe në vlerësime si PISA, TIMSS dhe Progress in International Reading Literacy Study (PIRLS).
Katër tekste do të jenë plotësisht të reja: Qytetaria për klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta, si dhe Gjuha për klasën e dhjetë. Në total, për klasat 1, 6 dhe 10 do të përditësohen 171 tekste, prej të cilave 140 fizike dhe 31 digjitale.
Ministrja bëri të ditur se për klasat 1, 6 dhe 10 përditësimi i programeve lëndore është realizuar gjatë vitit 2025, ndërsa zbatimi i kurrikulës së re do të nisë në shtator 2026. Procesi do të vijojë në mënyrë të shkallëzuar për klasat e tjera deri në vitin 2029.
Seanca dëgjimore u shoqërua me debate nga deputetët e opozitës, të cilët kërkuan më shumë transparencë mbi procesin e rishikimit të teksteve.













