Nisi me antipati, por përfundoi në dashuri/ Skerdi Faria: Njohja, sakrificat dhe puthja e parë me bashkëshorten

I ftuar këtë të martë në emisionin “Shije Shtëpie”, ka qenë mjeku kirurg, Skerdi Faria, i cili ka folur për njohjen me bashkëshorten e tij. Ai u shpreh se në fillim ajo e ka pasur inat dhe kishte krijuar një lloj antipatie për të, por më vonë gjërat ndryshuan dhe ata nisën një rrugëtim të bukur dashurie, e me plot sfida.

Faria kujton puthjen e parë që i ka dhënë gruas në faqe, në moshën 16-vjeçare, teksa flet gjithashtu edhe për kohën kur ishin të dy në universitet: njëri në Tiranë, kurse tjetri në Gjirokastër. Ai duhet ose të udhëtonte nga Tirana për në Gjirokastër, një udhëtim që zgjaste mbi 10 orë, ose të lidhej me thirrje telefonike, për të pasur një lloj kontakti me njëri-tjetrin.

Edhe kur u martuan, sakrificat nuk mbaruan, pasi Skerdi Fariaj emigroi për në Itali, kurse bashkëshortja e tij duhet të qëndronte në Shqipëri, ndërsa rrëmujat e ’97-s kishin kapluar vendin.

Skerdi Faria: Kemi 37 vite që jemi bashkë dhe në fillim më kishte inat.

Katerina Trungu: Kështu ndodh zakonisht.

Skerdi Faria: Jemi njohur në bankat e shkollës, në shkollë të mesme. Dhe ime shoqe… unë jam rritur në Ballsh, kam lindur në Tiranë. Në moshën 2-4 vjeçare, prindërit e mi më sollën në Ballsh sepse kanë qenë mësues të dy. Dhe ajo vjen nga një fshat i Fierit, në Topojë quhet fshati, vjen në Ballsh për të studiuar, për të bërë shkollën e mesme tek halla e saj. Ka ardhur dhe me vonesë në shkollë, nuk ka ardhur me datë 1 shtator, por e ka filluar nja dy javë më vonë. Krijoi një farë antipatie ndaj meje, nuk e di se për çfarë arsyeje. Nuk është se na ngjiste muhabeti si shokë klase, që ishim; ishim kalamaj. Pastaj në moshën 16-vjeçare, gradualisht filloi duke i pëlqyer unë. Nuk e harroj, pastaj mësuesët na ndryshuan. Mësuesi kujdestar na ndryshoi bankat, na vuri të dyve në një bankë: në bankë të fundit. Aty u çukulepsëm më tepër, si i thonë asaj punë. Mbaj mend që në moshën 16-vjeçare i kam dhënë të puthurën e parë në faqe. E kupton, si hu. Edhe që aty ka nisur rrugëtimi ynë bashkë, pastaj në shkollë të lartë, ajo vazhdoi për mësuesi në Gjirokastër, kurse unë për Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Ka qenë viti ’89 kur filluam ne shkollën e lartë. Atëherë ishte një tren që vinte nga Tirana në Fier, pastaj nga Fieri në Ballsh një tren tjetër dhe nga Ballshi për në Gjirokastër ishte një autobus. Për të marrë nga Tirana deri në Gjirokastër, ose anasjelltas, ishin nja 10 orë të mira rrugë, a mos më tepër. Edhe takoheshim rrallë me thënë të drejtën, prej largësisë, mundësisë financiare, se atëherë nuk kishte as hotele, as gjëra.

Katerina Trungu: Si flisnit, me telefon? Nuk e di. Si ka qenë në ’89.

Skerdi Faria: Linim ose letra, ose linim takim tek posta sepse ka pasur thirrje telefonike dikur. Ti dërgoje në qytetin tjetër një si thirrje telefonike dhe në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, të dy, prezantoheshit në telefon, njëri andej e tjetri këtej. Dhe ajo thoshte: “Ke 2 minuta, 3 minuta për të folur”, edhe iku ajo gjëja, mori fund.

Katerina Trungu: Pra 2 minuta kohë, t’i thoshe të gjitha çfarë kishe për t’i thënë.

Skerdi Faria: Sot njerëzit nuk bëjnë punë tjetër, vetëm shkruajnë mesazhe. Kurse dikur ishte më e koncentruar gjëja.

U martuam shpejt, në ’96-n. Dhe në ’97 pas martese unë iki në Itali, para se të fillonin rrëmujat këtu. Pata fatin që ika. Ajo i kaloi rrëmujat këtu, për fat të mirë pa probleme. Dhe familja ime, arrita që t’i bëja bashkim familjarë ta merrja në Itali, pastaj mora prindërit e të gjitha dhe vazhduam jetën atje. Fëmijët kanë lindur të 2 andej, goca në 2001-shin, djali në 2006-n. Janë lindur dhe janë rritur atje. Fryti i dashurisë.