Nis viti i ri akademik në universitete/ Studentët e mjekësisë në protestë: Ligjin do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese

TIRANË- Studentët e mjekësisë kanë bojkotuar mësimin në ditën e parë të vitit akademik në shenjë proteste kundër ligjit që i detyron ata të punojnë 5 vite në Shqipëri dhe më pas të diplomohen.

Një nga studentët u shpreh poër mediat se se bojkoti i mësimit do të vazhdojë dhe se ligjin do e çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Largimi është një problem edhe i vendeve të tjera, por fakti që në Shqipëri është më i theksuar se ka probleme që nisin që nga sistemi arsimor, te specializimi, për të vazhduar më pas te rrogat e ulëta dhe kushtet e punës. Apeli është i njëjtë. Duke pasur si parakusht heqjen e kontratave detyruese, kërkojmë një tryezë ku të ftohet e gjithë shoqëria, me pjesëmarrje të të gjithë faktorëve për t’i dhënë zgjidhje këtij problem, por me parakusht heqjen e kontratës detyruese. Studentët janë të vendosur që ligjin të çojnë në Gjykatën Kushtetuese. Do të vazhdojmë bojkotin derisa të kemi një reagim. Paralelisht po përpiqemi të çojmë ligjin në gjykatën Kushtetuese”, tha studenti.

“Nuk po luftojmë vetëm për një të drejtë tonën. Kemi që nga korriku që protestojmë. Kjo është vetëm dita e parë e bojkotit, shpresoj që në ditët në vijim do të jemi më shumë. Mjekësia është elita e këtij vendi. Ne nuk jemi tradhtarë, siç na kanë përmendur. Është tjetërkush që shpërdoron të ardhurat e këtij populli. Ne jemi ata, që sakrifikojmë sa e sa vite për t’i shërbyer këtij populli. Ligji për mjekësinë është i padrejtë. Për këtë arsye Mjekësia do të bojkotojë. Shumë ë vërtetë që mjekët largohen, por ky është faji individual i atyre që ikin dhe faji i instancave shtetërore, që nuk ua mundësojnë kushtet dhe sigurinë. Për këtë arsye mjekët largohen”- u shpreh një prej tyre.

Qeveria shqiptare prezantoi në muajin korrik projektligjin që ka si synim frenimin e largimit të bluzave të bardha, i cili parashikon që studentët të cilët nisin këtë vit Universitetin për Mjekësi, do të duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri, e më pas ta pajisen me diplomë. Sipas qeverisë, ky projektligj është hartuar me synimin që t’i sigurojnë shqiptarëve mjekë për vitet e ardhshme dhe për të përballuar sfidën e kohës, largimin e të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Europian.