Ngrihet Zyra e Shoqatës së Unionit Kombëtar të të Persekutuarve Politikë në Elbasan

Elbasani është i vetmi qytet në Shqipëri që nuk ka një ekspozitë apo një muze të krimeve të stalinizmit.

Nisur nga ky realitet, një nga të persekutuarit e këtij qyteti, Flamur Harri, i biri i drejtuesit të shkollës ushtrimore në Normalen e Elbasanit, Sulë Harri, ka marrë iniciativën për ngritjen e një zyre duke u bërë pjesë e Shoqatës së Unionit Kombëtar të të Persekutuarve Politikë.

Z. Harri shprehet se Elbasani nuk mund të heshtë për krimet e saj periudhe dhe se memoria historike nuk duhet harruar që të mos përsëriten gabimet e së shkuarës.

Ai madje tregon edhe një episod se si kur ishte 10 vjeç mësuesja i detyroi që të mbanin zi për “Baba Stalinin”.

Me këtë rast z. Harri ka ftuar të gjithë të persekutuarit që të sjellin prova, fakte, dokumente dhe foto në mënyrë që të memorizohen krimet staliniste edhe në Elbasan.