Ngjarja në Lushnjë! Dy viktimat, babë e bir, sot kishin nisur punën

Një ngjarje e rëndë e ndodhur pasditen e sotme në një kapanon në ndërtim në Lushnjë tronditi opinionin publik.

Babë e bir humbën jetën, ndërsa 7 të tjerë u plagosën pasditen e sotme pasi vinçi me të cilin po punonin ra në kontakt me linjën e tensionit të lartë duke shkaktuar menjëherë një shpërthim të fuqishëm dhe flakë të mëdha.

Ishte ora 15:30, kur babë e bir Roland dhe Lidio Hoxha ndodheshin në vinç dhe aksidentalisht prekën telat e tensionit të lartë, lëvizje e cila iu mori jetën.

Pas kontaktit me tensionin e lartë dyshohet se një një bombul oksigjeni ka nxitur shpërthimin e fuqishëm që la pas edhe disa të plagosur, mes tyre edhe deputetin socialist Bujar Çela. Shpërthimi u ndje në të gjithë qytetin.

Si pasojë e shpërthimit humbi jetën në vendngjarje Roland Hoxha, vinçieri, ndërsa djali i tij, Lidio, humbi jetën rrugës duke ardhur në Tiranë për te trauma. I riu kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni.

Sot ishte dita e parë e punës për të dy, por ata nuk e dinin që kjo do të ishte edhe dita e fundit