Nga starti i sezoni te rivali i vjetër, Elbasani i rezervohet një sfidë e veçantë që në javën e parë

Shorti i sezonit të ri në Superiore i ka rezervuar Elbasanit një sfidë të veçantë në javën e parë, ku në “Elbasan Arena” do të presë Flamurtarin, një nga rivalët më të njohur me të cilin është përballur gjatë ngjitjes së tij në Kategorinë e Parë.

Tashmë, të dy skuadrat përballen në elitë dhe do ta hapin sezonin me një duel mes dy ekipesh që përfaqësojnë qytetet e traditës, që vijnë me objektiva të qartë për të lënë gjurmë këtë edicion mes më të mirave të futbollit shqiptar.

STARTI I ELBASANIT – Për Elbasanin, kjo nuk është vetëm një ndeshje prestigjioze në start, por edhe një sfidë për të vijuar një traditë të paprekur që nga dita e parë e ringritjes së klubit: verdheblutë nuk janë mundur asnjëherë në debutimet sezonale, që prej krijimit të AF Elbasanit në vitin 2021. Bëhet fjalë për katër kategori pa asnjë humbje në start. Rruga e Elbasanit drejt Superiores ka qenë e mbushur me emocione dhe sakrifica, por gjithmonë ka nisur me rezultate pozitive. Në sezonin 2021-2022, kur ekipi nisi udhëtimin nga Kategoria e Tretë, debutoi me një fitore bindëse 5-0 ndaj Spartakut në transfertë. Ishte një ndeshje që la menjëherë gjurmë dhe i dha tonin sezonit.

Një vit më pas, në Kategorinë e Dytë, Elbasani e hapi sezonin në shtëpi ndaj një tjetër skuadre historike si Luftëtari, duke triumfuar me rezultatin 2-0, në një ndeshje që tregoi qartë se skuadra ishte ndërtuar për të fituar. Në Kategorinë e Parë, një tjetër provë serioze: barazim 1-1 ndaj Kastriotit në transfertë. Edhe pse sfida u zhvillua në një terren të vështirë dhe kundër një ekipi me përvojë, verdheblutë morën një pikë të vlefshme në hapje.

Së fundmi, sezoni i kaluar në Superiore, ku debutimi ishte ndaj Skënderbeut, sërish një barazim 1-1, duke ruajtur kështu ecurinë e pamposhtur në javët e para të kampionatit. Debutimet pa humbje në katër kategori të ndryshme nuk janë rastësi, por pasqyrë e një mentaliteti të ndërtuar me durim, profesionalizëm dhe besim te forcat e veta. Tani, ndaj Flamurtarit, është koha për një tjetër kapitull. Jo vetëm për ta ruajtur këtë traditë pozitive, por edhe për të dhënë sinjalin se Elbasani është gati të shkruajë histori të reja në Superiore.

FLAMURTARI, RIVALI I VJETËR – Tani vjen përballja me Flamurtarin, një skuadër që Elbasani e njeh mirë nga përplasjet në Kategorinë e Parë. Skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç ka bërë lëvizje të rëndësishme në merkato dhe pritet të jetë një kundërshtar serioz në këtë sezon të Superiores. Me mbështetjen e tifozëve dhe historinë në krah, skuadra synon të mbrojë rekordin e debutimeve pa humbje dhe të marrë tri pikët që në start.
Një tjetër detaj që i jep edhe më shumë peshë sfidës së javës së parë, është fakti se Elbasani nuk ka arritur ende të mposhtë Flamurtarin që nga momenti i ringritjes së klubit. Në tri përballjet mes tyre në Kategorinë e Parë, bilanci flet për dy barazime dhe një fitore në favor të vlonjatëve. Kjo statistikë është një shtysë shtesë për verdheblutë, të cilët kërkojnë jo vetëm të ruajnë rekordin e tyre në debutime, por edhe të thyejnë “mallkimin” ndaj Flamurtarit, duke shënuar fitoren e parë përballë një rivali që u ka krijuar gjithmonë vështirësi.