Nga reshjet tek temperaturat, sinoptikani Hakil Osmani tregon si do të jetë moti në fundjavë

Sinoptikani i njohur Hakil Osmani nga “MeteoAlb”, në një lidhje direkte për Klan News, shprehet se gjatë këtyre ditëve pritet që të kemi temperatura të larta që shkojnë deri në 29 gradë Celsius.

Sipas tij, do të kemi vranësira, reshje, intervale të gjata me kthjellime dhe rritje temperaturash, të gjitha do i përjetojmë brenda kësaj fundjave.

Hakil Osmani: “Vendi ynë ditën e sotme mbetet nën mbizotërimin e vranësirave të shpesha, të cilat herë pas here parashikohet të kenë zhvillimet e tyre. Më të dukshme do të jenë në pjesën e dytë të ditës duke bërë që të kemi edhe mundësira për reshje shiu. Në pjesën Lindore do të kenë më të dukshme, por edhe në Ultësirën Perëndimore do i kemi prezente reshjet në sasira më të pakëta. Në mbrëmje kemi përmirësim gradual të kushteve të motit.

Do të kemi mot të qëndrueshëm në orët e para mëngjesit të ditës së shtunë duke bërë që të ketë intervale të gjata me kthjellime, kalime të pakëta të vranësirave gjatë paradites, pasditja i bën vranësirat disi më të shpeshta duke krijuar mundësira të izoluara dhe të pakëta shiu në zonat lindore, ndërsa ultësira perëndimore mbetet nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm në pjesën më të madhe të saj,.

Dita e diel sjell mbizotërim të kthjellimeve. Dielli do të jetë prezent në pjesën e parë të ditës dhe më të dukshme do të jenë në vijën bregdetare, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të ketë kalime të pakëta të vranësirave, gjatë orëve të pasdite pritet që vranësirat të bëhen më të dukshme në zonat juglindore duke krijuar dhe mundësira për momente të pakëta me pika shiu.

Temperaturat e ajrit nga dita e sotme do të jenë të larta duke bërë që maksimumet të jenë në vlerën 29 gradë Celsius në qytetet e zonës së ulët. Regjistrohen në qarkun e Elbasanit, Beratit, Tiranës, Gjirokastrës dhe Shkodrës. Por jo vetëm ditën e sotme do të kemi temperatura të larta. Edhe gjatë fundjavës kemi maksimumet në qytetet e ultësirës perëndimore do të jenë në vlerën 28 apo 29 gradë Celsius në orët e mesditës. Kemi një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit”.