Nga 1 tetori, kodi i e-Albania vjen edhe në WhatsApp dhe Viber, AKSHI: Si të mbroni llogarinë nga mashtrimet

Kodi që qytetarët përdorin për të verifikuar identitetin në e-Albania do të dërgohet edhe në ËhatsApp dhe Viber duke nisur nga 1 tetori. Dy aplikacionet do të përdoren si kanale shtesë për kodet e autentikimit dhe të nënshkrimit elektronik, në një kohë kur mesazhet mashtruese që kërkojnë të dhëna personale mbeten një rrezik për përdoruesit e shërbimeve online.

Përmes e-Albania, qytetarët dhe bizneset marrin dokumente dhe kryejnë aplikime për shërbime publike. Kodi është pjesë e verifikimit të identitetit gjatë këtyre veprimeve, ndaj mbajtja e tij private lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e llogarisë.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka sqaruar se mesazhet zyrtare që do të mbërrijnë në WhatsApp dhe Viber do të përmbajnë vetëm kodin. Ato nuk do të kërkojnë të dhëna personale dhe nuk do t’i drejtojnë përdoruesit të klikojnë në lidhje apo të kryejnë veprime të tjera.

“Mesazhet zyrtare të dërguara përmes Viber dhe ËhatsApp do të përmbajnë vetëm kodin e nevojshëm për autentikim ose nënshkrim elektronik. Ato nuk do të kërkojnë të dhëna personale apo informacione sensitive dhe nuk do t’u kërkojnë përdoruesve të klikojnë në linke apo të kryejnë veprime të tjera. Përdoruesit këshillohen të tregojnë kujdes ndaj çdo mesazhi që kërkon informacione shtesë apo ndërveprime të tjera dhe të mos e ndajnë kodin e autentikimit me persona të tjerë. Çdo mesazh që kërkon informacione shtesë ose ndarjen e kodit me një person tjetër duhet trajtuar me kujdes si një mashtrim. Sipas AKSHI-t, kodi është personal dhe duhet përdorur vetëm për veprimin për të cilin është gjeneruar” thuhet në njoftimin e AKSHI-t