Nga janari i vitit 2026, qeveria shqiptare do të ndryshojë plotësisht skemën e mbështetjes financiare për të porsalindurit.
Nuk do të ketë më një shumë të menjëhershme në formën e çekut të lindjes, siç ka ndodhur gjatë gjashtë viteve të fundit, por mbështetja do të jetë në formën e pagesës mujore për çdo fëmijë deri në moshën 5-vjeçare.
Skema e re parashikon për çdo fëmijë të lindur mbështetje financiare të përmuajshme, në varësi të renditjes së tij në familje.
Sipas planit të ri:
Për fëmijën e parë: 5,000 lekë në muaj (60,000 lekë në vit, 300,000 lekë në 5 vite), nga 40,000 lekë që është aktualisht bonusi.
Për fëmijën e dytë: 7,000 lekë në muaj (84,000 lekë në vit, 420,000 lekë në 5 vite), nga 80,000 lekë që jepet sot.
Për fëmijën e tretë dhe çdo fëmijë tjetër pas tij: 10,000 lekë në muaj (120,000 lekë në vit, 600,000 lekë në 5 vite), nga 120,000 lekë që jepet aktualisht si bonus.
