Ndryshimi radikal i DASH: Garanci deri në 15 mijë dollarë për vizë në SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka propozuar që aplikantët për viza biznesi dhe turistike të dorëzojnë një garanci financiare deri në 15 mijë dollarë për të hyrë në SHBA.

Në një njoftim që pritet të publikohet të martën në Regjistrin Federal, DASH njofton nisjen e një programi testues 12-mujor, sipas të cilit shtetasve nga vende me nivel të lartë të qëndrimeve të paligjshme pas skadimit të vizës dhe me mangësi në verifikimin e dokumenteve të brendshme, do t’u kërkohet të depozitojnë një garanci prej 5 mijë, 10 mijë ose 15 mijë dollarësh gjatë aplikimit për vizë.

Ky propozim vjen në kuadër të politikave më të ashpra të administratës Trump ndaj aplikantëve për viza.

Pak ditë më parë, DASH njoftoi se shumë nga ata që kërkojnë rinovimin e vizave do të duhet të kryejnë edhe një intervistë personale shtesë, e cila më parë nuk ishte e nevojshme.

Gjithashtu, në propozim përfshihet kërkesa që aplikantët për Programin e Lotarisë së Vizave të paraqesin pasaporta të vlefshme nga vendi i tyre i origjinës.

Në përmbledhjen e njoftimit, publikuar të hënën në faqen e Regjistrit Federal, theksohet se programi testues do të nisë brenda 15 ditëve nga publikimi zyrtar dhe synon të mbrojë qeverinë amerikane nga përgjegjësitë financiare në rast se vizitorët nuk i respektojnë kushtet e vizës.

“Njerëzit që aplikojnë për viza si vizitorë të përkohshëm për biznes apo pushime, dhe që janë shtetas të vendeve të identifikuara nga DASH si me shkelje të larta të kushteve të vizës, me mungesa në verifikimin e dokumentacionit apo që përfitojnë shtetësi përmes investimit pa kërkuar qëndrim në SHBA, mund të përfshihen në këtë program testues,” thuhet në njoftim.

Lista e vendeve që do të përfshihen do të publikohet menjëherë pas nisjes së programit.

Kjo garanci nuk do të aplikohet për shtetasit e vendeve pjesëmarrëse në Programin e Heqjes së Vizave (Visa Waiver Program), dhe përjashtime mund të bëhen në raste të veçanta. Propozimi për garanci financiare nuk është i ri, por deri tani nuk është zbatuar.

Tradicionalisht, DASH ka shmangur këtë kërkesë për shkak të kompleksitetit të procedurës së depozitimit dhe kthimit të garancisë, si dhe për shkak të perceptimeve negative që mund të lindin në opinionin publik.

Megjithatë, sipas departamentit, ky qëndrim i mëparshëm nuk mbështetet nga të dhëna të fundit, pasi garancitë për viza nuk janë përdorur gjerësisht kohët e fundit.