Ndezi zjarr, por i doli jashtë kontrollit duke djegur 40 ha me pyje dhe ullinj, arrestohet 64 vjeçari në Belsh

Belsh/Cërrik – Një zjarr i ndezur në mënyrë të pakujdesshme në fshatin Shegas ka rezultuar në djegien e rreth 40 hektarëve tokë bujqësore me ullinj dhe sipërfaqe pyjore. Policia ka arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, pas hetimeve të kryera për rastin, identifikuan dhe ndaluan shtetasin H. M., 64 vjeç, banues në fshatin Shegas. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr në tokën e tij, i cili më pas është përhapur në mënyrë të pakontrolluar duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në një sipërfaqe të madhe.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan u bën thirrje qytetarëve që të shmangin çdo tentativë për ndezje zjarresh, pasi do të përballen me pasojat ligjore. Policia inkurajon qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të ngjashëm apo paligjshmëri, duke garantuar anonimatin dhe reagimin e menjëhershëm.