Katër punonjës ndërtimi janë vënë në pranga nga policia në Ksamil, pasi kanë ngritur disa struktura pa leje në tokë publike.
Policia thotë se në këkrim është shpallur 42-vjeçari me inicialet A.P i cili i kishte punësuar ata për të ndërtuar objektet pa leje.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama shpalli atë që e quajti “Rilindja 2.0” program që sipas tij do të mbrojë bregdetin nga ndërtimet uzurpuese dhe pasi shënjestroi veçanërisht Ksamilin për prishjen e imazhit të turizmit veror.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga 4 shtetas që po ndërtonin pa leje në tokë publike në Ksamil, si dhe shpallet në kërkim një tjetër i dyshuar si personi që i punësoi.
Në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ushtruar kontrolle në Ksamil, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe si rezultat, më datë 04.09.2025, në rrugën “Riviera”, Ksamil, u konstatua ndërtimi i 2 objekteve me konstruksion blloqe betoni, të papërfunduara, në tokë publike, pa leje nga organet kompetente.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. P., 36 vjeç, R. M., 34 vjeç, M. M., 47 vjeç, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Sarandë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 42 vjeç, banues në Ksamil, i dyshuar si personi që kishte punësuar shtetasit e lartpërmendur për të ndërtuar pa leje në tokë publike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.
