Ndërhyrje e shpejtë e Njësisë Policore Detare shpëton 5 shtetas në rrezik mbytjeje në Gjirin e Durrësit

Durrës, 31 Korrik 2025 – Falë ndërhyrjes së menjëhershme të efektivëve të Njësisë Policore Detare, pesë shtetas u shpëtuan nga mbytja, pasi gomonia me të cilën po lundronin rrezikonte të fundosej për shkak të motit të keq dhe erërave të forta.

Ngjarja ndodhi mesditën e sotme, gjatë patrullimeve rutinë në hapësirën detare të qarkut Durrës. Shërbimet e Njësisë Policore Detare konstatuan një gomone në vështirësi, në afërsi të Gjirit të Durrësit, me pesë persona në bord që kërkonin ndihmë.

Në reagim të menjëhershëm, efektivët e trajnuar të Njësisë ndërhynë me mjete lundruese dhe bënë të mundur nxjerrjen e sigurt në breg të shtetasve, të cilët fatmirësisht ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia apelon për të gjithë qytetarët dhe turistët që udhëtojnë me mjete lundruese të tregojnë kujdes të shtuar në kushte të motit të paqëndrueshëm, si dhe i fton që në çdo rast rreziku të kontaktojnë pa vonesë shërbimet e Njësisë Policore Detare.

“Reagimi ynë do të jetë i shpejtë, profesional dhe i specializuar”, theksohet në njoftimin e Policisë.